Skandal në universitetin tajvanez/ Trajnerja kërkon falje pasi studentët dyshohet se janë detyruar të dhurojnë gjak për vite me radhë
Një trajnere sportive në Universitetin Kombëtar Normal të Tajvanit (NTNU) ka kërkuar falje publike pas akuzave serioze se studentëve të saj u është kërkuar, në mënyrë të përsëritur dhe nën presion, të dhurojnë gjak për një projekt kërkimor, një praktikë që zgjati disa vite.
Chou Tai-ying, 61 vjeç, pranoi se kishte nxitur marrjen e mostrave të gjakut nga lojtarët e saj që prej vitit 2019, me arsyetimin se dëshironte t’i ndihmonte ata për shkak të mungesës së stafit dhe dëmtimeve të shpeshta. Megjithatë, nuk është bërë ende e qartë se për çfarë konkretisht po përdorej gjaku i studentëve.
Aludimet për abuzim dolën në dritë për herë të parë në vitin 2024 nga politikania tajvaneze Chen Pei-yu, e cila pretendoi se studentëve u ishte kërcënuar humbja e krediteve akademike nëse nuk merrnin pjesë në projekt. Një hetim i brendshëm më pas zbuloi se marrja e gjakut ishte kryer në mënyrë të përsëritur për projekte të paidentifikuara kërkimore, madje në disa raste deri në tre herë në ditë për dy javë rresht.
Në një deklaratë për mediat, Chou kërkoi falje duke thënë: “Është padyshim faji im që ju bëra të ndiheni ashtu siç u ndjetë”, ndërsa pranoi se kishte ushtruar presion me sjellje të papërshtatshme. Edhe profesori Chen Hsueh-chih, i përfshirë në një nga projektet, kërkoi ndjesë, duke pranuar se veprimet kishin sjellë dëm ndaj studentëve dhe familjeve të tyre.
Drejtori i NTNU-së, Wu Cheng-chi, kërkoi gjithashtu falje publike, duke e cilësuar çështjen si pasojë të “neglizhencës institucionale”, ndërsa premtoi rishikim të etikës dhe procedurave mbikëqyrëse në universitet.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit në Tajvan ka paralajmëruar se mund të marrë masa disiplinore, përfshirë edhe revokimin e licencës së trajneres. Zëvendësministri i Arsimit konfirmoi se çështja do të hetohet thellësisht dhe se do të analizohen përgjegjësitë e të gjithë individëve të përfshirë.