Formula 1/ Hamilton: Dua që ADN-ja ime të ndihet te Ferrari
Lewis Hamilton tha se dëshiron të ketë “disa nga ADN-ja ime” në makinën e Ferrarit për vitin 2026.
Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 ka pasur vështirësi në sezonin e tij të parë me “kokëkuqen”, ende pa asnjë podium këtë sezon.
Ndërkohë që, shoku i tij i skuadrës Charles Leclerc ndodhet para tij në renditje dhe ka marrë katër podium.
Gjithsesi, performanca e Ferrari, në përgjithësi këtë vit, ka qenë shumë më poshtë pritshmërisë së para-sezonit.
Një sërë përmirësimesh duket se e kanë përmirësuar SF-25, por Hamilton zbuloi planet mbi të cilat po punon me drejtorin teknik të shasisë së Ferrari për të zëvendësuar ato që ai i konsideron si “karakteristika” të padëshiruara të makinës aktuale me elementë që ai i gjen më të favorshëm.
“Këtë vit me këtë makinë, kemi shumë mjete dhe mënyra të ndryshme me të cilat mund ta konfigurojmë makinën. Charles ka qenë këtu për një kohë të gjatë dhe ka qenë pjesë e evolucionit dhe zhvillimit të kësaj makine dhe është më shumë i mësuar me të”, tha Hamilton.
“Ai ka gjetur një mënyrë se si funksionon makina. Kam provuar të gjitha drejtimet e tjera që duhet të funksionojnë, por ato thjesht nuk funksionojnë për çfarëdo arsye. Dhe kam migruar ngadalë në vendin ku Charles e drejton makinën”, shtoi britaniku.
“Është ende e vështirë, është një ekuilibër i vështirë për t’u drejtuar. Ndaj, po punoj me Loic Serra dhe të gjithë djemtë në fabrikë për t’u siguruar që makina e ardhshme do të ketë disa nga ADN-ja ime. Shpresojmë se do të jemi në gjendje të marrim disa nga karakteristikat që shpresoj të kem në të vitin e ardhshëm”, deklaroi Hamilton.