BE kërkon më shumë para nga udhëtarët jo-evropian: Komisioni propozon rritjen e tarifës ETIAS nga 7 në 20 euro
Komisioni Evropian ka propozuar një rritje të ndjeshme të tarifës së udhëtimit për shtetasit që hyjnë në BE pa vizë, duke e çuar atë nga 7 në 20 euro.
Kjo tarifë do të aplikohet përmes sistemit të autorizimit të udhëtimit ETIAS, që pritet të hyjë në fuqi në fund të vitit 2026 në 30 vende evropiane, përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së (përjashtuar Irlandën), si dhe Islandën, Norvegjinë, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën.
Sipas një zyrtari të lartë të BE-së, ky ndryshim synon të mbledhë më shumë “burime të veta” për buxhetin e përbashkët të BE-së, në kuadër të Kornizës Financiare Shumëvjeçare për periudhën 2028–2034. Propozimi është pjesë e një pakete me pesë burime të reja vetanake të paraqitura javën e kaluar dhe pritet të gjenerojë rreth 300 milionë euro shtesë çdo vit.
Autorizimi ETIAS është i nevojshëm për shtetasit e vendeve si Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Kanada, Brazil dhe Australi që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë. Aktualisht, udhëtarët paguajnë një tarifë 7-euro për aplikim, përjashtuar fëmijët nën 18 vjeç dhe të moshuarit mbi 70 vjeç.
Propozimi i ri është dorëzuar për shqyrtim nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian, ndërkohë që miratimi i tij nuk kërkon pëlqimin unanim të të gjitha shteteve anëtare – ndryshe nga shumë burime të tjera të të ardhurave të BE-së.