Trump kërkon anulimin e pushimeve të gushtit për senatorët: Na duhen konfirmimet!
Presidenti Donald Trump ka kërkuar publikisht nga udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, që të anulojë pushimet tradicionale të gushtit për senatorët, në mënyrë që të përshpejtohet konfirmimi i emërimeve të tij ekzekutive dhe gjyqësore. Lajmin e bën të ditur “The Hill”, sipas të cilës presidenti i ka bërë thirrje Thune të shtunën përmes një postimi në rrjetin e tij social, Truth Social.
“Shpresojmë që John Thune shumë i talentuar… do të anulojë pushimet e gushtit (dhe fundjavat e gjata!), në mënyrë që të konfirmohen kandidatët e mi të jashtëzakonshëm. Kemi shumë nevojë për ta!!!”, shkroi Trump, duke lënë të kuptohet se ai nuk është i gatshëm të pranojë vonesa në përforcimin e administratës së tij.
Aktualisht, Senati pritet të shqyrtojë gjashtë emërime të rëndësishme gjatë ditës së sotme, përfshirë atë të kandidatit për të drejtuar Agjencinë për Zbatimin e Ligjit kundër Drogës. Në mesin e emrave të përzgjedhur nga Trump janë Emil Bove, një avokat i Departamentit të Drejtësisë, i propozuar për gjykatën federale të apelit, si dhe Jeanine Pirro, ish-prezantuese e Fox News, që kandidon për postin e prokurores më të lartë federale në Uashington.
'Kërcënimi' i presidentit për të anuluar pushimet ka gjasa të nxisë senatorët të përshpejtojnë procesin e konfirmimeve, për të shmangur një verë të ngarkuar me punë parlamentare.