Roma prezanton përforcimin e parë të verës, firmos deri në vitin 2030

AS Roma ka zyrtarizuar blerjen e parë për këtë merkato vere: bëhet fjalë për mesfushorin Neil El Aynaoui, i cili i bashkohet skuadrës nga Lens. Futbollisti 23-vjeçar ka nënshkruar një kontratë afatgjatë, e vlefshme deri në vitin 2030, dhe do të mbajë fanellën me numrin 8 në ekipin verdhekuq.

Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi nëpërmjet një njoftimi zyrtar:

“AS Roma ka kënaqësinë të njoftojë transferimin përfundimtar të Neil El Aynaoui nga Lens. I lindur më 2 korrik 2001 në Nancy, Francë, nga prindër me origjinë marokene, El Aynaoui është rritur në akademinë e qytetit të tij, duke debutuar me ekipin e parë në vitin 2021. Në vitin 2023 u transferua te Lens, ku kaloi dy sezonet e fundit. Si mesfushor, ai ka grumbulluar 130 ndeshje në kampionat dhe kompeticione të tjera, duke realizuar 17 gola. Në Romë, ai do të veshë fanellën me numrin 8. Mirë se vjen në kryeqytet, Neil!”

Ndwrkohw, përforcimi i dytë i Romës ka mbërritur në Ciampino. Bëhet fjalë për Evan Ferguson, sulmues irlandez i Brightonit. Avioni i tij ka zbritur në aeroport në orën 20:20. Sulmuesi, i cili pritet të rivalizojë me Dovbyk në repartin ofensiv, është pritur nga dhjetëra tifozë të Romës, të cilët kanë vendosur t’i japin mirëseardhjen përforcimit të ri. Tani e ndajnë vetëm vizitat mjekësore (të planifikuara për të hënën) dhe firma e kontratës përpara se të vihet në dispozicion të trajnerit Gasperini.