Nicky Hayen ‘ftoh’ Milanin: Jashari pritet të rikthehet në stërvitje të hënën
Trajneri i Club Brugge, Nicky Hayen, ka dhënë një mesazh të qartë lidhur me situatën e Ardon Jasharit, mesfushor që po kërkohet me ngulm nga Milani. Edhe pse Jashari nuk u grumbullua për ndeshjen e Superkupës kundër Union Saint-Gilloise, Hayen shpreson që lojtari të bashkohet me ekipin që nga e hëna në seancat stërvitore.
“Situata është shumë e qartë. Ai duhet të rikthehet në stërvitje të hënën,” – tha trajneri, duke shtuar megjithatë: “Në futboll gjërat mund të jenë shumë të vështira dhe kjo është një situatë komplekse. Por kam besim të plotë te klubi që do të menaxhojë gjithçka si duhet. Ne do të shohim si do të përfundojë.”
Jashari është objektiv kryesor i Milanit, i cili po bën përpjekje intensive për të mbyllur marrëveshjen me Club Brugge. Mesfushori tashmë ka njoftuar klubin belg për dëshirën e tij për t’u transferuar në Milano dhe tani pret që palët të arrijnë një akord.
Derisa Milani ka ofruar një shumë prej 32.5 milionë eurosh plus 5.5 milionë euro bonuse, oferta është konsideruar e përshtatshme në “Casa Milan”, por Brugge e ka refuzuar duke kërkuar një shumë bazë prej 40 milionë eurosh për kartonin e mesfushorit.
Situata pritet të zhbllokohet brenda orëve të ardhshme dhe tifozët e Milanit janë në pritje të lajmeve pozitive.