Ofensiva e Ramës për të grabitur pronën publike, detyron Këshillin Bashkiak Vlorë, të reagojë publikisht: Nuk kemi kompetencë të japim truall që…

Këshilli Bashkiak Vlorë ka dalë me një njoftim të rëndësishëm, pas ofensivës së kryeministrit Edi Rama në këtë bashki duke shkarkuar të gjithë drejtorët, ku sipas gjasave, ka lidhje me dhënien e 831.7 ha në Kaninë, ku subjektet kërkuese synojnë të ndërtojnë një park fotovoltaik.

‘Megjithatë, nga dokumentacioni i marrë nga Kadastra më datë 18.07.2025, me qëllim plotësimin e dokumenteve për mbledhjen e Këshillit, rezulton se trualli në zonën e Kaninës ka vetëm një vërtetim hipotekor si truall në emër të Bashkisë, por Bashkia Vlorë nuk figuron si zotëruese e titullit të pronësisë së këtij trualli. Në këto kushte, Këshilli Bashkiak nuk mund të marrë një vendim në lidhje me këtë kërkesë. Të gjitha komentet dhe insinuatat e tjera janë keqkuptime ose dizinformime me prapavijë keqdashëse’, thuhet në njoftimin e bërë publik në Facebook.

Postimi i plotë i Këshillit Bashkiak Vlorë:

NJOFTIM I RËNDËSISHËM!

Të nderuar banorë të Vlorës, por jo vetëm,

Në përgjigje të interesimit të disa mediave dhe në vazhdën e dizinformimit nga disa të tjera, sqarojmë se:

Është e vërtetë që prej 16 muajsh Bashkia Vlorë ka marrë disa kërkesa për një truall me sipërfaqe 831.7 ha, ku subjektet kërkuese synojnë të ndërtojnë një park fotovoltaik. Kërkesat janë depozituar përkatësisht në këto data:

 1. 29.04.2024

 2. 20.05.2024

 3. 23.05.2024

Së fundmi, kërkesa është miratuar për t’iu përcjellë Këshillit Bashkiak.

Megjithatë, nga dokumentacioni i marrë nga Kadastra më datë 18.07.2025, me qëllim plotësimin e dokumenteve për mbledhjen e Këshillit, rezulton se trualli në zonën e Kaninës ka vetëm një vërtetim hipotekor si truall në emër të Bashkisë, por Bashkia Vlorë nuk figuron si zotëruese e titullit të pronësisë së këtij trualli.

Në këto kushte, Këshilli Bashkiak nuk mund të marrë një vendim në lidhje me këtë kërkesë.

Të gjitha komentet dhe insinuatat e tjera janë keqkuptime ose dizinformime me prapavijë keqdashëse.

Duke ju uruar një fillim jave sa më të paqtë, ju njoftojmë se nesër do të vijojmë me mbledhjen dhe shqyrtimin e projekt-vendimeve të tjera të rendit të ditës.

Me respekt,

Kryetare

Elpiniqi Mërkuri