Granit Xhaka, në vëmendjen e Interit dhe Juventusit, Leverkusen vendos kushtet: Largohet vetëm nëse...

Emri i Granit Xhakës, mesfushor i përfaqësueses së Zvicrës dhe një prej liderëve të Bayer Leverkusen-it, po qarkullon gjithnjë e më shumë në merkato dhe së fundmi është lidhur edhe me një kalim të mundshëm në Serinë A. Sipas medieve italiane, Interi dhe Juventusi janë dy nga klubet që kanë hedhur sytë drejt tij, ndërsa nuk mungojnë as ofertat nga Arabia Saudite, konkretisht nga Neom SC.

Në lidhje me këto spekulime, ka reaguar edhe drejtori sportiv i Leverkusen-it, Fernando Carro, i cili në një intervistë për ‘Welt’ ka qartësuar qëndrimin e klubit gjerman:

“Graniti e di që është shumë i rëndësishëm për ne, si në fushë ashtu edhe në dhomat e zhveshjes. Ka edhe tri vite kontratë dhe dëshira jonë është që të qëndrojë. Por nëse vjen një ofertë që është e mirë për të dhe për ne, do të ulemi dhe do të flasim. Vetëm nëse është një situatë që u leverdis të dyja palëve,” theksoi Carro.

Për Interin, Xhaka shihet si një zëvendësues i mundshëm për Hakan Calhanoglu, i cili vazhdon të përflitet për një rikthim në Turqi, fillimisht me Galatasaray dhe së fundmi te Fenerbahçe. Ndërkohë, Juventusi, që po kërkon forcim në mesfushë, e sheh Xhakën si një profil të përshtatshëm për strukturën e re që po ndërtohet.

Për momentin, Leverkuseni mbetet i qartë: largimi i Xhakës nuk është përparësi, por nëse oferta do të jetë bindëse dhe në interes të të gjithëve, atëherë dyert e negociatave nuk janë të mbyllura. Ndërsa Seria A mban frymën për një tjetër emër të madh që mund të zbarkojë në Itali.