Shqiptarët pjesë e rrjetit të drogës të drejtuar nga polici grek, zbulohen 5 milionë euro në llogari

Tetë persona janë arrestuar nga policia greke, si pjesëtarë të një grupi kriminal që trafikonte drogë në ishullin e Mykonosit. Ndër ta janë katër efektivë të policisë greke dhe katër shtetas shqiptarë. Në kërkim vijon të jetë edhe një tjetër person i dyshuar. Grupi dyshohet se rihidhte në treg drogë të sekuestruar nga vetë policia.

Hetimet zbuluan lidhje të oficerëve të policisë me pjesëtarë të mafias greke, të cilët informoheshin për kontrollet policore që do të zhvilloheshin.

Në krye të grupit kriminal ishte një oficer grek 42-vjeçar, i pezulluar nga detyra që prej 14 janarit 2025, pas një akuze për mashtrim ndaj një ish-partneri në tetor 2024. Krahu i tij i djathtë ishte një tjetër oficer policie, 31 vjeç, i cili shërbente në Stacionin e Policisë së Akropolit. Më parë, ai kishte punuar në Departamentin e Narkotikëve të Athinës Juglindore, ku dyshohet se ka sekuestruar lëndë narkotike dhe më pas e ka shpërndarë nëpërmjet rrjetit kriminal.

Në grupin e bashkëpunëtorëve përfshiheshin edhe:

Një shef policie 35-vjeçar në Nëndrejtorinë e Policisë së Mykonosit,

Një shef tjetër policie 43-vjeçar në Departamentin e Policisë së Akarnasit,

Një shtetas shqiptar 24-vjeç dhe motra e tij 29-vjeçare (partnerja e kreut të grupit),

Dy persona të tjerë nga Shqipëria,

Një 43-vjeçar i shpallur në kërkim

Në dosje përfshihen gjithashtu 13 persona të tjerë, mes tyre edhe një shef policie që aktualisht shërben në Departamentin e Policisë së Pydna-Kolindros, por që gjatë periudhës së hetimit ishte pjesë e Nëndrejtorisë së Policisë së Mykonosit.

Midis personave të hetuar ndodhen tre individë me precedentë të rëndë kriminalë, emrat e të cilëve përmenden edhe në dosjen për vrasjet e katër anëtarëve të mafias greke së kontrabandës së cigareve, të udhëhequr nga i shumëkërkuari “Entik”, i cili dyshohet se fshihet në Dubai.

Oficeri 42-vjeçar u arrestua më 23 tetor 2024 për mashtrim të përsëritur ndaj ish-partneres së tij. Gjatë arrestimit, iu konfiskua telefoni, i cili u bë provë kyçe. Deklasifikimi i komunikimeve të tij nxori në pah përfshirjen në trafik droge dhe në krijimin e një organizate kriminale. Ai kishte kontakte të drejtpërdrejta me persona të lidhur me mafian greke dhe i informonte për kontrollet policore.

Në komunikimet me oficerin 31-vjeçar u zbuluan biseda të detajuara për një marrëveshje droge, ndërsa ky i fundit e informonte rregullisht për zhvillimet në Departamentin e Zbatimit të Ligjit për Narkotikët dhe mënyrën e manipulimit të provave të sekuestruara.

Autoritetet greke kanë identifikuar transaksione të dyshimta midis dy oficerëve të policisë, të cilët kishin rol kyç në rrjetin kriminal. Plot 5 milionë euro janë gjetur në llogaritë bankare të 42-vjeçarit dhe partneres së tij shqiptare. Dyshohet se në këtë veprimtari ishte i përfshirë edhe vëllai i saj 24-vjeçar, i cili transportonte dhe shpërndante drogën e sekuestruar.

Anëtarët e organizatës komunikonin ekskluzivisht përmes aplikacioneve të enkriptuara. Ndërkohë, “truri” i grupit, oficeri grek, dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në raste të tjera të paligjshme, përfshirë informimin e biznesmenëve për kontrollet policore që do të zhvilloheshin ndaj tyre.