Neymar Jr, 'në rolin e Batmanit': shpenzon 1.3 milionë euro për një Batmobil që nuk mund ta ngasë (fotot)
Neymar Jr, i njohur jo vetëm për talentin në fushë, por edhe për shijet e tij ekstravagante, ka bërë një tjetër blerje marramendëse: një Batmobil Tumbler me vlerë 1.3 milionë euro. Por ka një detaj pikant: nuk mund ta ngasë në rrugë, pasi ky mjet unik nuk është i homologuar për qarkullim rrugor.
‘Ylli’ brazilian, që këtë sezon do të luajë sërish për Santosin, e ka shtuar këtë "makinë të superheroit" në koleksionin e tij të pasur, ku përfshihen edhe makina luksoze si Ferrari Purosangue, Audi R8 Spyder V10 Plus, Bentley Continental GT, Aston Martin DBX dhe Lamborghini Huracan.
Batmobili që ka blerë Neymar është një nga 10 kopjet e rralla të modelit Tumbler, krijuar nga Warner Bros për të festuar 85-vjetorin e Batmanit. Ky mjet 4.65 metra i gjatë dhe 2.8 metra i gjerë është ndërtuar mbi një shasi tubolare, me trup karboni dhe pajiset me motor 6.2 V8 me 525 kuaj fuqi.
Por më shumë se performanca, janë detajet që e bëjnë këtë makinë unike: imitim i motorit të avionëve, bombola tymuese, ‘flaps’ aerodinamikë dhe një kabinë dyvendëshe për Batmanin dhe Robin. Me pak fjalë, një makinë që duket sikur ka dalë drejt e nga seti i filmave të Christopher Nolan.
Neymar, i cili ka shprehur më parë dashurinë e tij për Batmanin, madje ka marrë pjesë në premierën e filmit ‘The Batman’ në vitin 2022, duket se tani ka realizuar një ëndërr fëmijërie, edhe pse nuk mund ta ngasë në autostradë. Për Neymarin, që ka përfituar miliona nga periudha në Arabinë Saudite, kjo është thjesht një tjetër lodër... në nivel superhero.