VIDEO/ Lionel Messi i rrëmben një tjetër rekord Cristiano Ronaldos

Rivaliteti legjendar mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos vazhdon të shkruajë histori, edhe pse të dy ‘yjet’ janë larg futbollit europian. Këtë herë është argjentinasi ai që ka kaluar përpara, duke thyer një tjetër rekord që deri tani mbahej nga portugezi: më shumë gola të shënuar në aksion të hapur në gjithë karrierën.

Falë formës së shkëlqyer që po kalon me Inter Miami në MLS, Messi ka arritur numrin 764 të golave të shënuar në aksion, duke lënë pas Ronaldon me 763 gola të këtij lloji. Në fitoren 5-1 ndaj New York Red Bulls, ku Messi realizoi dy gola dhe dha një asist, u vendos edhe ky rekord i ri.

Në shtatë ndeshjet e fundit me Inter Miamin, para dhe pas Kupës së Botës për Klube, Messi ka shënuar ‘dopietë’ në gjashtë prej tyre, përballë skuadrave si Nashville, Montreal, Columbus Crew dhe New England Revolution. Vetëm ndaj Cincinnati-t, ku Inter Miami humbi 0-3, ai nuk arriti të shënonte, duke i dhënë fund një serie të jashtëzakonshme me më shumë se një gol për ndeshje në pesë sfida radhazi, një arritje që nuk ishte regjistruar më parë në MLS.

Në total, Messi ka tani 874 gola në karrierë (prej tyre 110 nga penalltia) në 1114 ndeshje. Nga ana tjetër, Cristiano Ronaldo mbetet më përpara në numër total golash, me 938 gola (por 175 nga penalltia) në 1281 ndeshje.

Rivaliteti vazhdon të frymëzojë botën e futbollit, edhe pse skenat e tyre janë ndërruar. Nëse njëri dominon Arabinë Saudite, tjetri po shkëlqen në SHBA, por gara për rekorde vazhdon pa u ndalur.