Bayern-i hidhet në sulm për Luis Díaz, 90 milionë për Liverpooli-n, marrëveshja me lojtarin është arritur

Bayern-i i Mynihut është shumë pranë sigurimit të një përforcimi të madh në repartin ofensiv. Gjigantët bavarezë janë hedhur në sulm për kolumbianin Luis Díaz dhe janë gati të ofrojnë 90 milionë euro për kartonin e tij, me marrëveshjen personale me lojtarin që tashmë është mbyllur.

Sipas raportimeve të “BILD”, Luis Díaz ka pranuar të transferohet te Bayern-i, me një kontratë që do të zgjasë deri në vitin 2029 dhe me një pagë vjetore prej 14 milionë eurosh. 28-vjeçari nuk shihet më si pjesë afatgjatë e projektit të Liverpooli-t dhe është i gatshëm për një aventurë të re në Bundesligë.

Në skenën ndërkombëtare, Díaz kishte qenë objektiv edhe për Barcelonën, por katalanasit duket se kanë ndryshuar drejtim duke i dhënë prioritet Marcus Rashford, për të cilin tashmë kanë nisur negociatat me Manchester United.

Ndërkohë, Liverpool-i është në përfundim të transferimit të Hugo Ekitiké për një shumë rreth 95 milionë euro, çka pritet të hapë rrugën për largimin e Díaz. Me ardhjen e francezit, “The Reds” janë më të hapur për të pranuar ofertën e Bayernit, që duket se do të mbyllë me sukses një nga goditjet më të rëndësishme të kësaj merkatoje verore.

Nëse gjithçka finalizohet siç pritet, Bayern-i do të ketë siguruar më në fund një sulmues të krahut të majtë të nivelit të lartë, për të nisur një etapë të re me ambicie të mëdha brenda dhe jashtë Gjermanisë.