Christian Vieri: Interi ka skuadrën më të fortë, por gara për titull do jetë treshe
Ish-sulmuesi i njohur italian, Christian Vieri, ka ndarë mendimet e tij për sezonin e ri të Serisë A gjatë një interviste për ‘Sport Mediaset’, në kuadër të ngjarjes sportive ‘Bilboa Bobo Summer Cup në Padel 2025’.
Vieri, i njohur për analizat e tij të drejtpërdrejta, ka komentuar mbi balancat e reja të kampionatit italian:
“Edhe pse Napoli është kampion dhe në teori duhet të jetë favorit, unë mendoj se Interi ka skuadrën më të fortë. Sigurisht, ky është mendimi im personal, mund edhe të gaboj”, u shpreh ai.
Sipas tij, beteja për titull do të zhvillohet mes tre gjigantëve të futbollit italian: “Inter, Napoli dhe Juventus do të jenë pretendentët kryesorë për Scudetton.”
Sa i përket Milanit, Vieri ishte më i përmbajtur: “Milani është ende në ndërtim e sipër. Kanë humbur dy lojtarë shumë të mëdhenj dhe do duhet të gjejnë zëvendësues të denjë. Merkatoja është ende e hapur, do të shohim në fund çfarë do të arrijnë të bëjnë.”
Deklaratat e Vierit konfirmojnë pritshmëritë për një kampionat të luftuar, ku balanca mund të ndryshojë në çdo moment. Seria A 2025/26 pritet të jetë një garë e hapur, ku eksperienca dhe përforcimet e verës do të bëjnë diferencën.