SYRI TV/ Berat, bujqësia në kufijtë e mbijetesës, fermerët e 6 fshatrave shesin në rrugë
Fermerët e qarkut të Beratit në kufijtë e mbijetesës dhe pa asnjë ndihmë nga shteti. Në të paktën gjashtë fshatra, bujqit kalojnë deri në 12 orë në ditë në rrugë për të shitur prodhimet e tyre bujqësore, por, sipas tyre, shumë pak arrijnë të shesin. Ata thonë se ka rënë fuqia blerëse, ndërsa shteti nuk u ka siguruar tregje që të garantojnë shitjen e prodhimeve.
Fermerët e fshatrave Sheqë, Gajdë, Polizhan, Malas-Gropë, Syzezë dhe Poshnje në Berat tregtojnë prej më shumë se 30 vitesh prodhimet e tyre përgjatë aksit nacional Dimal–Lushnje, në fshatin Polizhan.
Aktualisht, në këtë zonë tregtohen kryesisht shalqi dhe pjepër, por edhe pse prodhimi është i bollshëm, tregtarët shprehen se fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm.
Ata pohojnë se situata nuk është më si dikur: shumë pak makina ndalojnë për të blerë, dhe fitimet nuk mbulojnë më as kostot e prodhimit.
Tregtimi i produkteve bujqësore që kultivojnë në tokat e tyre është e vetmja burim të ardhurash për të mbajtur familjet, por fermerët thonë se nuk janë mbështetur asnjëherë nga shteti edhe pse është folur shumë për grante dhe subvencione falas për ta.