Po prisnin për ushqim, Izraeli qëllon mbi palestinezët, 67 të vdekur

Të paktën 67 palestinezë, përfshirë 63 që prisnin ushqim në Gaza janë vrarë nga sulmi izraelit që nga mëngjesi i sotëm.

Ata po prisnin kamionë me ndihma pranë pikës kalimtare Zikim në Rripin verior të Gazës, kur u qëlluan nga forcat izraelite me tanke, raportuan mediat palestineze dhe arabe.

Sipas burimeve mjekësore të cituara nga Al Jazeera, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sulmet e sotme izraelite në Gaza është 67 palestinezë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se të paktën 130 persona janë vrarë dhe 495 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në 24 orët e fundit.

Kjo e çon numrin e të vdekurve që nga fillimi i luftës së Izraelit në 58,895, me 140,980 të plagosur, në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.

Më 18 mars, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj në Rripin e Gazës, duke thyer një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në muajin janar. Bisedimet për një marrëveshje të re janë duke u zhvilluar në kryeqytetin Doha të Katarit./ Al Jazeera.