'Situatë tragjike'/ Papa Leo bën thirrje për t'i dhënë fund ‘barbarisë’ në Gaza

Duke folur pas Meshës së së Dielës, Papa Leo vajton tre banorët e Gazës, të vrarë në një sulm ndaj famullisë katolike të Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës, të cilin ai e quan "vetëm një" nga sulmet "e vazhdueshme" ndaj popullit dhe vendeve të shenjta të Gazës.

Papa Leo XIV ka shprehur “pikëllimin e tij të thellë” për sulmin e fundit izraelit ndaj famullisë katolike në Gaza, dhe ka bërë thirrje për “një ndalesë të menjëhershme të barbarisë” në Rrip.

Pasi kisha e Familjes së Shenjtë u godit të enjten në mëngjes, tre nga afërsisht 600 banorët e Gazës që strehoheshin atje u vranë dhe disa të tjerë, përfshirë priftin e famullisë, At Gabriel Romanelli, u plagosën.

Duke folur të dielën pasi recitoi lutjen Angelus në rezidencën e tij verore në Castel Gandolfo, Papa përmendi emrat e tre viktimave - Saad Issa Kostandi Salameh, Foumia Issa Latif Ayyad dhe Najwa Ibrahim Latif Abu Daoud - dhe tha se ishte "i afërt" me ta dhe familjet e tyre.

Papa Leo theksoi më pas se sulmi “është vetëm një nga sulmet e vazhdueshme ushtarake kundër popullsisë civile dhe vendeve të kultit në Gaza”.

Papa bëri thirrje për “një ndalesë të menjëhershme të barbarisë së luftës” dhe për “një zgjidhje paqësore të konfliktit”. Ai i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të respektojë ligjin humanitar dhe të respektojë detyrimin për të mbrojtur civilët, “si dhe ndalimin e ndëshkimit kolektiv, përdorimit pa dallim të forcës dhe zhvendosjes me forcë të popullsisë”.

Papa Leo e mbylli apelin e tij me një mesazh drejtuar komuniteteve “tona të dashura” të krishtera në Lindjen e Mesme, duke thënë se e kuptonte që ato mendonin se mund të “bënin pak, përballë kësaj situate tragjike”.  

«Jeni në zemrën e Papës dhe të mbarë Kishës», tha ai. «Faleminderit për dëshminë tuaj të fesë».

Telefonatë me Netanyahun

Më herët gjatë ditës, duke folur me gazetarët ndërsa kthehej nga Mesha në Albano-n e afërt, Papa Leo theksoi nevojën për të “lutur për paqe dhe për të provuar të bindësh të gjitha palët të ulen në tryezën e bisedimeve, të dialogojnë dhe të ulin armët”.

“Bota nuk mund ta durojë më”, tha Papa. “Ka kaq shumë konflikte, kaq shumë luftëra”.

Papa Leo u pyet më pas për bisedën e tij telefonike të premten me Benjamin Netanyahun, gjatë së cilës ai kërkoi një “shtytje të rinovuar” për t’i dhënë fund konfliktit dhe u ankua për “çmimin e dhimbshëm” që po paguajnë civilët e Gazës.

«Ne këmbëngulëm në nevojën për të mbrojtur vendet e shenjta të të gjitha feve», tha Papa Leo, «dhe për të respektuar njerëzit dhe vendet e shenjta dhe për të bërë përpjekje për të lënë pas gjithë dhunën dhe urrejtjen»./ Vatican News.