Teliti: Shteti i braktisi bizneset në Ksamil, konflikti ishte i paralajmëruar prej muajsh
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, është shprehur në intervistën në SYRI TV, se përplasja e dhunshme në Ksamil, ishte e paralajmëruar prej muajsh, por shteti zgjodhi të mos ndërhyjë, duke i lënë operatorët në konflikt të hapur.
Sipas Telitit, problemi i menaxhimit të hapësirave publike në Shqipëri është një plagë 30-vjeçare, që nuk fillon e as mbaron me rastin e Ksamilit.
Dorian Teliti: Menaxhimi i hapësirave publike, i pronës publike, i pronës në përgjithësi, është një problematikë jo e sotme. As e djeshme apo e pardjeshme kur ndodhi konflikti, në rastin Ksamilit, po iu referova në statusin tim. Por është një problematikë 30-vjeçare e cila e ka shoqëruar shoqërinë shqiptare, pikërisht për faktin sepse njerëzit kështu janë gatuar.
Çdokush dëshiron që të marrë pronën, ta përdorë për të gjeneruar para, prandaj ekziston shteti që është rregullatori, i cili rregullon marrëdhëniet e qytetarit, në mënyrë që të bashkekzistojnë dhe bashkërendojnë në jetë pa i rënë në qafë njëri-tjetrit.
Në rastin konkret, kemi një konflikt që u nis që pardje, dhe dje që u bë një publik. Ishte një konflikt që ishte nisur që para një muaji dhe askush nuk kishte reaguar. Dhe për çfarë bëhej fjalë? Bëhej fjalë për një copë bregdet që ky lokali që ishte në buzë detit kishte 13 vite që e përdorte me leje të institucioneve shtetërore, atë të zonave bregdetare. Tashmë, vitin e kaluar duke qenë se ka ndryshuar ligji dhe i është dhënë përparësi vetëm strukturave hoteliere, në marrjen e zonave bregdetare për të vendosur çadrat e tyre.
Shteti nuk u kujdes që mos të kishte përplasje mes këtyre dy operatorëve, por i vendosi këta dy operatorë në të njëjtin vend praktikisht. Por i ka dhe u tha ‘hani kokat me njëri-tjetrin’, zgjidheni vetë situatën. Dhe në këto momente lindi konflikti. Njëra nga palët ka të drejtën e ligjit të vendosur një vit më parë, tjetra ka të drejtën e ligjit në parim të historikut 13 vjeçar të investimeve.
Dhe kur ti ke 13 vjet që ke investuar në një vend, ke fituar disa të drejta, krahasuar me disa të tjerë. Ishin të dyja biseda të ligjëruara, por shteti vendos dhe ai thotë: Kjo është parcela dhe në vend që të bëjë një ndarje konsensuale ku të gjendet gjuha, një ndarje të studiuar ku askujt mos ti prishet punë, por ti vijë në pozitivitet për punën, por u lanë ashtu të kalonin në konflikt. Një konflikt fizik, një dhunë që është e papranueshme, është e dënueshme në ekstremitet.