Mbytet pushuesi në plazhin e Tales, dëshmitarët: U vonua ambulanca...

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të diel në plazhin e Tales, në Lezhë, ku një pushues ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në det. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, viktima ishte duke u larë kur është parë nga pushues të tjerë në vështirësi, duke pirë ujë.

Menjëherë, të pranishmit kanë ndërhyrë për ta nxjerrë në breg, duke arritur ta sjellin me shenja jete, por fatkeqësisht ai dyshohet se ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.

Dëshmitarët thanë gjithashtu se ka pasur vonesë në mbërritjen e autoambulancës, gjë që mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së të mbyturit.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes tragjike.