Antidroga godet në Durrës/ Sekuestrohen drogë, armë, municione dhe jelekë antiplumb - 3 të arrestuar dhe 2 në kërkim

Policia e Durrësit ka finalizuar një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe shpërndarjes së drogës, si dhe të armëmbajtjes pa leje. Operacioni i koduar “The Wrong Meeting” është zhvilluar në bashkëpunim mes Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, si rezultat i hetimeve me metoda proaktive.

Policia bën të ditur se është sekuestruar 6.2 kg lëndë narkotike kanabis (në formë boçeje) e dyshuar se është prodhuar me ndihmën e llambave speciale; Një armë zjarri pistoletë me fishekë luftarakë; Dy jelekë antiplumb; Pajisje për përshtatjen e ambienteve për kultivimin e drogës me llamba; Dy automjete dhe 6 celularë të sekuestruar.

Të arrestuarit në flagrancë janë shtetasit Sh. T., 36 vjeç, banues në Vorë, Tiranë, për prodhim dhe shitje të narkotikëve, si dhe armëmbajtje pa leje; D. S., 21 vjeç, banues në Peqin, Elbasan; J. B., 17 vjeç, banues në Golem, Durrës, të dy për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, në bashkëpunim.

Ndërsa të shpallur në kërkim janë shtetasit G. S., 39 vjeç, dhe M. Ll., 33 vjeç, të dy nga Peqini. Dy prej të arrestuarve, Sh. T. dhe D. S., janë kapur në flagrancë në një parking në Golem, Durrës, gjatë shkëmbimit të 4.5 kg kanabis. Ndërkohë, në një ambient të përdorur nga 17-vjeçari J. B., policia gjeti edhe 1.1 kg lëndë narkotike.

Gjatë kontrolleve në banesën e Sh. T., në Tiranë, u zbuluan edhe 600 gram kanabis, armë zjarri, fishekë, jelekë antiplumb dhe pajisje për kultivimin e bimëve narkotike.

Policia po vijon hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.