'O plehrë çfarë ke bërë...'/ Përplasja e dhunshme në Ksamil për pronësinë e plazhit, tre të arrestuar dhe një i mitur nën hetim
Tre persona janë arrestuar lidhur me konfliktin e dhunshëm që u regjistrua mesditën e djeshme në plazhin e Ksamilit, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë edhe një 17-vjeçar.
Mësohet se në pranga ka rënë Agim Taraj, 43 vjeç, pronar i ‘Sunset Restorant Ksamil’, shtetasi me iniciale S. S., 18 vjeç, banues në Dibër dhe A. Z., 35 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një shtetas i mitur, 17 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, pranë një plazhi publik në Ksamil, Albert Pashajn i cili është pronar i ‘Euro Hotel Ksamil’, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Gjithashtu, lidhur me këtë ngjarje, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe nisi procedimi penal për shtetasen me iniciale O. P., 40 vjeçe, pasi pas konfliktit ajo ka dëmtuar ambientin duke shkatërruar pajisje dhe sende të tjera në “beach bar”-in e Agim Tarajt.
Burime bëjnë me dije se ngjarja ka lidhje me një konflikt që ka ndodhur edhe më parë mes dy biznesmenëve për plazhit para hotelit se kush do ta kishte në zotërim.