U kap mat në koncert! Gjithçka po shkon për dreq për CEO-n e Astronomer, jep dorëheqjen
Andy Byron, drejtori ekzekutiv i kompanisë teknologjike me bazë në Nju Jork, Astronomer, ka dhënë dorëheqjen nga posti pas publikimit të një videoje ku ai u kap mat teksa ishte i përqafuar me shefen e burimeve njerëzore Kristin Cabot, 56 vjeçe, gjatë një koncerti të Coldplay. Lajmi u bë i ditur nga kompania në një postim në LinkedIn të shtunën.
Ngjarja ndodhi të martën, kur kamera e koncertit — e njohur si “kiss cam” — fokusoi çiftin. Të dy u dukën të zënë ngushtë dhe shmangën shikimin nga ekrani sapo kuptuan që po shfaqeshin në monitorët gjigantë të skenës. Madje edhe këngëtari Chris Martin nuk hezitoi të bënte një koment thumbues: "Oh, shikoni këta të dy! Ose janë dashnorë, ose janë shumë të turpshëm."
Pas presionit publik dhe nisjes së një hetimi të brendshëm, kompania njoftoi të shtunën se Byron ka dhënë dorëheqjen, menjëherë pasi ishte vendosur fillimisht në pezullim. Në një deklaratë zyrtare, Astronomer theksoi:
“Liderët tanë priten të jenë shembull në sjellje dhe përgjegjshmëri. Së fundmi, ky standard nuk është përmbushur.”
Në vend të tij, bashkëthemeluesi dhe shefi i produktit Pete DeJoy do të vazhdojë si CEO i përkohshëm, ndërsa bordi do të nisë kërkimin për një drejtues të ri.
Skandali ka shkaktuar debat në rrjet, jo vetëm për shkak të pozicioneve të larta të përfshira, por edhe sepse të dy – Byron dhe Cabot – rezultojnë të jenë të martuar me partnerë të tjerë. Dokumente publike në Massachusetts konfirmojnë se Kristin Cabot është aktualisht e martuar me një tjetër CEO – Andreë Cabot, drejtues i kompanisë Privateer Rum.
Përqafimi viral që zbuloi tradhtinë mund t’i kushtojë Andy Byron mbi 30 milionë paund në rast se bashkëshortja, e cila hoqi mbiemrin e tij nga rrjetet sociale, do t’i kërkojë divorcin. 50-vjeçari vlerësohet se ka një pasuri prej 60 milionë paund.