VIDEO/ ’Kur dëgjova Muçollari mendova se fitoi ai’, Adela Muçollari rrëfen në ‘Odeon’ momentin më të paharruar në skenë
Në emisionin ‘Odeon’ në SYRI TV, prima balerina Adela Muçollari ndau një nga kujtimet më të forta të karrierës së saj artistike, një moment që e lidh në mënyrë të veçantë me vëllain dhe partnerin e saj në skenë, balerinin Anxhelo Muçollari.
Egla Xhemalaj: Ka ndonjë vepër që ju ka bashkuar veçanërisht fort të dyve në skenë dhe që ju ka lënë një kujtim të pashlyer, dhe që sa herë që bisedoni së bashku i riktheheni asaj për të kujtuar një ndjesi, një moment, një emocion të asaj kohe?
Adela Muçollari: Kemi një moment që është baleti ‘La Sylphide’. Është baleti që Anxhelon e ka ngjitur si primo balerin të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe pikërisht në këtë balet unë kam fituar çmimin ‘Kult’ si balerina më e mirë e vitit. Ka qenë një moment shumë i bukur sepse asokohe Anxhelo ka qenë vetëm 18 vjeç kur ka interpretuar ‘La Sylphide’ dhe unë isha ajo motra e madhe. Ishim të dy që garonim për çmimin ‘Kult’ dhe në ato momente, duke qenë se Anxhelo ishte primo balerin i vitit, arriti një sukses të jashtëzakonshëm me atë interpretim. Unë prisja që do ta fitonte Anxhelo me zemër. Kur u shpall fituesi, u tha ‘Adela Muçollari’, por unë nuk arrita të dëgjoj ‘Adela’, dëgjova vetëm ‘Muçollari’ dhe u ktheva nga Anxhelo dhe i thashë ‘Urime!’. Ai më ktheu: ‘Po e more ti!’. Ka qenë vërtetë një moment emocionues. Sa herë që e kujtojmë, i them që është një sukses i të dyve, sepse unë falë Anxhelos arrita ta fitoja atë çmim. Nuk ishte vetëm Adela në skenë, ishte edhe partneri që mbajti Adelën. Ky ishte momenti kulminant.