Lundrimi turistik përfundon në tragjedi/ Përmbyset varka në Vietnam, 34 të vdekur, mes tyre 8 fëmijë

Të paktën 34 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi një varkë turistike u përmbys në Vietnam për shkak të motit të keq.

Ngjarja ndodhi në Gjirin Ha Long, një destinacion turistik shumë i njohur në veri të vendit.

Sipas raportimeve, shumica e pasagjerëve ishin familje vietnameze që kishin ardhur për pushime nga kryeqyteti Hanoi.

Reshjet e dendura të shiut po pengojnë kërkimet për të mbijetuar, bëjnë të ditur ekipet e shpëtimit, por deri tani 11 persona janë nxjerrë gjallë nga uji.

Anija, e quajtur Ëonder Seas, kishte në bord 53 persona kur u përmbys pas përplasjes me një stuhi të papritur, thuhet në një deklaratë të Rojës Kufitare dhe Marinës vietnameze.

Një dëshmitar për agjencinë AFP tha se qielli u errësua rreth orës 14:00 me orën lokale të së shtunës (07:00 GMT).

“Breshër, reshje të rrëmbyeshme, stuhi dhe vetëtima”, tregoi ai.

Një djalë 10-vjeçar arriti të shpëtojë pasi mbeti i bllokuar në hapësirën e krijuar brenda trupit të përmbysur të varkës, raportojnë mediat lokale në Vietnam.

“Mora frymë të thellë… u zhyta dhe notova për lart. Madje thirra për ndihmë dhe më pas një varkë më tërhoqi”, tregoi djali për mediat shtetërore VietnamNet. Ai ndodhej në barkë së bashku me prindërit e tij.

Sipas VNExpress, ndër trupat e pajetë të gjetur deri tani, të paktën tetë janë fëmijë.

Operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë edhe gjatë natës për të gjetur të zhdukurit e tjerë.

Kryeministri Pham Minh Chinh ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, ndërsa autoritetet vietnameze kanë njoftuar një hetim të plotë për shkaqet e aksidentit dhe paralajmërojnë ndëshkime të rrepta në rast shkeljesh ligjore.

Gjiri Ha Long, në provincën Quang Ninh, është plot me dhjetëra ishuj të vegjël dhe tërheq rreth 4 milionë turistë në vit. Zona është një nga thesaret natyrore të Vietnamit dhe përfshihet në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.