Mbi 32 të vrarë e dhjetra të plagosur pranë dy pikave të shpërndarjes së ndihmave në Gaza
Të paktën 32 palestinezë që po kërkonin ushqim janë vrarë nga të shtënat izraelite pranë dy pikave të shpërndarjes së ndihmave afër Khan Younis dhe Rafah, në jug të Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në këtë territor.
Dhjetëra të tjerë janë plagosur pranë dy qendrave të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, që është përballur me kritika.
GHF ka deklaruar se nuk ka pasur incidente “në apo pranë” qendrave të tyre, por ka pranuar se kishte “pasur lëvizje të Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF)” disa orë para hapjes së pikave të ndihmës.
Një dëshmitar i tha agjencisë Reuters se të shtënat izraelite dukeshin “të qëllimshme për të vrarë”.
Ministria palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se disa prej trupave të viktimave u transportuan në spitalin Nasser në orët e para të mëngjesit të së shtunës (19 korrik 2025)
Që nga fillimi i operacioneve të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) në fund të majit, raportimet për palestinezë të vrarë gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma janë bërë thuajse të përditshme. Dëshmitarët pohojnë se shumica janë qëlluar nga forcat izraelite.
Ushtria izraelite (IDF) i tha BBC-së se, në incidentin më të fundit, trupat e saj kanë qëlluar të shtëna paralajmëruese për të ndaluar “të dyshuarit” që po afroheshin, duke theksuar se ngjarja ndodhi përpara se të hapeshin qendrat e ndihmës.
Mohammed Al-Khalidi, në një prononcim për Reuters, akuzoi ushtrinë izraelite për sulmin.
Ai tha se bënte pjesë në një grup palestinezësh që ishin informuar se qendra e shpërndarjes së ndihmave e GHF ishte e hapur, por sapo mbërritën, tanket filluan të afrohen dhe hapën zjarr.
“Nuk ishin të shtëna për të na trembur apo për të na organizuar – ishin të shtëna për të na vrarë. Nëse do të donin të na organizonin, mund ta kishin bërë. Por ata synonin të na vrisnin.”
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) përdor kontraktorë privatë të sigurisë për të shpërndarë ndihma nga qendra që ndodhen brenda zonave ushtarake izraelite. Izraeli dhe SHBA thonë se ky sistem është i nevojshëm për të penguar Hamasin që të vjedhë ndihmat. Por OKB refuzon të bashkëpunojë me këtë mekanizëm, duke e cilësuar si joetik dhe duke theksuar se nuk është paraqitur asnjë provë që Hamasi i devijon ndihmat në mënyrë sistematike.
Më 15 korrik, Zyra për të Drejtat e Njeriut në OKB bëri të ditur se gjatë gjashtë javëve të fundit, ka regjistruar 674 vrasje në afërsi të katër pikave të GHF-së në Gazën jugore dhe qendrore.
Sipas saj, edhe 201 vrasje të tjera janë dokumentuar përgjatë rrugëve ku kalojnë autokolonat e ndihmave të OKB-së dhe organizatave të tjera.
GHF mohon që në afërsi të qendrave të saj të kenë ndodhur incidente me pasoja fatale, dhe akuzon OKB-në për përdorimin e të dhënave “të rreme dhe mashtruese” nga ministria e Shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi. Megjithatë, këto të dhëna konsiderohen gjerësisht si burim i besueshëm për numrin e viktimave të konfirmuara në spitalet e Gazës.
Ndërkohë Izraeli nuk lejon organizatat ndërkombëtare të lajmeve, përfshirë BBC-në, të dërgojnë gazetarë brenda territorit të Gazës.
OKB deklaroi gjithashtu këtë javë se numri i fëmijëve që vuajnë nga kequshqyerja akute është dyfishuar që kur Izraeli filloi të kufizojë hyrjen e ushqimeve në territor që prej muajit mars. Pavarësisht krijimit të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), sasi të mëdha ndihmash, përfshirë dhe formulat për foshnjat, vazhdojnë të bllokohen në kufi.
Të premten, drejtori i një spitali fushor deklaroi se kishin përjetuar një rritje të madhe të pacientëve që vuanin nga lodhja ekstreme, dobësimi i thellë fizik dhe kequshqyerja akute.
Sipas zyrës së medias së qeverisë së Hamasit, deri tani 69 fëmijë kanë humbur jetën nga kequshqyerja, në një krizë humanitare që po përshkallëzohet.
Po të premten, (18 korrik) Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi sërish se një marrëveshje për armëpushim është shumë pranë, por një zyrtar palestinez i tha BBC-së se bisedimet janë ende të bllokuara, pasi harta e fundit për tërheqjen e trupave e propozuar nga Izraeli vazhdon të jetë e papranueshme për Hamasin./ BBC/