Zjarri në Dukat rrezikon Parkun Kombëtar të Llogarasë, zjarrfikësit luftojnë me shkurre e lopata, kërkohet helikopteri
Zjarri në Dukat i cili nisi prej mëngjesit të sotëm vijon dhe përhapja e tij po vë në rrezik Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Për këtë arsye është kërkuar ndërhyrja nga ajri dhe trupa të armatosura.
Nga monitorimi i strukturave të Bashkisë Vlorë, mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00, është njoftuar Shërbimi Zjarrfikës për një vatër zjarri të aktivizuar në zonën e Sotiranit, në fshatin Dukat, Njësia Administrative Orikum.
Aktualisht në terren po punojnë 10 zjarrfikës dhe 3 punonjës të shërbimit pyjor. Për shkak të terrenit të thyer dhe bimësisë së dendur, forcat në terren e kanë të vështirë ta vendosin situatën nën kontroll.
Nga pamjet që Syri Tv disponon duket që ata që luftojnë me zjarrin nuk kanë asnjë mjet mbrojtës ndërsa e vetmja armë që kanë në dorë për të shuar zjarrin që rrezikon Parkun Kombëtar të Llogarasë janë vetëm disa degë shkurresh dhe lopatat.