SYRI TV/ 830 ha tokë në Kaninë për park fotovoltaik, banorët e Kaninës kundërshtojnë projektin
Këshilli Bashkiak i Vlorës do të mblidhet të hënën për të miratuar projektin për ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Kaninës në një sipërfaqe prej 830 hektarësh.
Banorët e zonës kanë shprehur kundërshtinë e tyre ndaj projektit, por këto shqetësime nuk janë marrë parasysh në procesin e vendimmarrjes. Ky projekt duket se është burimi i tensioneve mes Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, e cila u pasua nga një valë shkarkimesh në bashkinë e qytetit bregdetar. Më 16 korrik, kryebashkiaku Dredha urdhëroi nisjen e procedurës, teksa burimet brenda bashkisë thonë se ka një presion të fortë që ky projekt të miratohet pa asnjë diskutim në mbledhjen e së hënës.
Të hënën, më 21 korrik, Këshilli Bashkiak i Vlorës do të mblidhet sërish për të shqyrtuar dhe miratuar projektin për ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Kaninës. Sipas burimeve, këshilltarëve u është bërë e qartë se këto pika duhet të miratohen pa diskutim, përndryshe rrezikojnë të shkarkohen nga detyra, njësoj si disa prej drejtorëve të bashkisë.
Syri Televizion ka siguruar rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku, siç, në pikën 5 të saj është projektvendimi për nisjen e procedurës për dhënien në përdorim me afat deri në 10 vjet, me të drejtë rinovimi të sipërfaqes kullosore që bën pjesë në ekonominë Shashicë-Gumenicë. Sipërfaqja e përgjithshme e ngastrave që planifikohet të jepen për ndërtimin e parkut fotovoltaik është mbi 830 hektarë. Kjo është zona ku prej vitesh qindra banorë zhvillojnë aktivitetin e tyre blegtoral.
Banorët e zonës kanë shprehur kundërshtinë e tyre ndaj projektit, ndërsa shqetësimet e tyre nuk janë marrë parasysh në procesin e vendimmarrjes.
Kujtojmë se në nëntor të vitit të shkuar, kryebashkiakut socialist të Vlorës, Ermal Dredha, i mbërriti në protokollin e institucionit që drejton një e ashtuquajtur “shprehje interesi” për të ndërtuar një central të madh diellor në Kaninë. Siç shkruan Kapitali.al, i vënë përpara presionit të madh që vinte nga Tirana, Ermal Dredha filloi procedurat, fillimisht duke caktuar një seancë dëgjimore me banorët e Kaninës, ku u përpoq që të justifikohej para tyre.
Janë gati 800 e ca hektarë që ne duam t’i vendosim në një fazë studimi. Pra, bëhet fjalë për strategjinë që ka qeveria shqiptare sa i përket edhe pjesës së potencimit të energjisë së rinovueshme. Ideja është që ne e kemi si detyrim ligjor, që kushdo që ka një shprehje interesi, të vazhdojmë procedurat ligjore.
Por banorët e zonës ishin njëzëri fuqimisht kundër projektit, i cili sipas tyre do të shkatërronte përfundimisht ekonomitë e qindra familjeve që jetojnë kryesisht me blegtori.
Teksa Partia Socialiste ishte mbledhur të festonte 34-vjetorin e saj, në media rrodhën disa pamje të një debati të tensionuar mes Edi Ramës dhe Ermal Dredhës. Në pamjet filmike, kreu i qeverisë dukej qartë teksa i drejtohej me tone shumë të ashpra kryebashkiakut të Vlorës.
Ndonëse motivi i përplasjes u lidh me zjarret në fushën e mbetjeve në Vlorë, arsyet dukeshin të tjera, dhe ky ishte sinjali i parë që do të pasohej nga një furtunë e paprecedentë e qeverisë mbi Bashkinë e Vlorës.
Dy javë pas përvjetorit të Partisë Socialiste, Edi Rama zbarkoi vetë në Vlorë. Gjatë një takimi tjetër të tensionuar me Ermal Dredhën, ai urdhëroi shkarkimin e të gjithë drejtorëve të bashkisë. Kjo ishte hera e parë në historinë e shtetit shqiptar, kur kryeministri shkarkonte të gjithë ekipin drejtues të një bashkie, e cila më vonë u pasua nga disa bashki të tjera, por jo me intensitetin e Vlorës.
Pas uzurpimit të kompetencave të Bashkisë së Vlorës nga Edi Rama, mesazhi u përcoll qartë, pasi më 16 korrik, Ermal Dredha firmosi projektvendimin për nisjen e procedurës për dhënien me qira për 10 vjet me të drejtë rinovimi të rreth 830 hektarëve në Kaninë. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak këtë të hënë, pritet të hidhet në votim miratimi i projektit, për të cilin burime brenda bashkisë thonë se ekziston presion i drejtpërdrejtë për ta kaluar pa vonesa.