SYRI TV/ Kryebashkiaku demokrat i Hasit nuk shkarkon vartësit, Miftar Dauti tregon pse nuk i bindet urdhrit

Kryetari demokrat i bashkisë së Hasit ka reaguar pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e drejtuesve të bashkisë dhe njësive bashkiake.

Miftar Dauti shprehet se administrata e bashkisë që ai drejton ka një performancë të mirë duke i shërbyer qytetarëve. Madje shpjegon se në këtë rast po zbaton ligjin.

Bashkia e Hasit del kundër urdhrit të kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar drejtorët dhe kryetarët e njësive administrative. Kryetari demokrat i kësaj bashkie, Miftar Dauti, ka reaguar dhe deklaron se administrata e Hasit është e angazhuar seriozisht në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, ndonëse përballet me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore dhe kapaciteteve profesionale. Madje ai sqaron edhe arsyet pse nuk po i bindet urdhrit të Ramës.

"Nuk është pjesë e zbatimit të urdhrit. Nuk ka folur me emër për bashki. Ka bashki që janë prej 20 vitesh me të njëjtën administratë e ka vend për ndryshime.  Jemi të përkushtuar të zbatojmë ligjin por nuk jemi në kushtet komode që të vijojmë nga e para. Të bëjmë ndryshme e të trajnojmë njerëz të tjerë. Ne kemi një periudhë 2 vjeçare që trajnojmë administratën”  tha ai.   

Ndërkohë, në të njëjtën kohë, Bashkia Kukës ka marrë masa konkrete duke shkarkuar të gjithë administratorët e njësive dhe dy nënkryetarët duke vënë në zbatim urdhrin e kreut të qeverisë.