Fruthi nuk është thjesht i rrezikshëm, ai mund të fshijë sistemin tuaj imunitar

Verbim, pneumoni, diarre e rëndë madje edhe vdekje, infeksionet nga virusi i fruthit, sidomos te fëmijët, mund të kenë pasoja shkatërruese. Fatmirësisht, kemi një mbrojtje të sigurt dhe efektive. Vaksinat kundër fruthit vlerësohet se kanë parandaluar më shumë se 60 milionë vdekje midis viteve 2000 dhe 2023.

Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi, rastet me fruth po rriten me shpejtësi në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë botën. Ky shpërthim global është rezultat i disa faktorëve, si hezitimi ndaj vaksinimit dhe fushatat e humbura të imunizimit, duke lënë shumë fëmijë të pambrojtur dhe të cenueshëm.

Por në rrezik nuk është vetëm sëmundja e fruthit. Studime të reja tregojnë se vaksinimi kundër fruthit mund të sjellë edhe përfitime të tjera të papritura për shëndetin. Është vërejtur se fëmijët e vaksinuar kanë një rrezik dukshëm më të ulët për infeksione nga sëmundje që nuk kanë lidhje me fruthin.

Një nga shpjegimet për këtë përfitim më të gjerë është koncepti i ashtuquajtur "amnezi nga fruthi". Ky term i referohet aftësisë së virusit të fruthit për të fshirë pjesë të kujtesës imunitare të trupit.

Sistemi ynë imunitar përbëhet nga qeliza të ndryshme që na mbrojnë nga infeksionet. Disa prodhojnë antitrupa për të neutralizuar viruset, ndërsa të tjera zbulojnë dhe shkatërrojnë qelizat e infektuara. Kujtesa imunitare i mundëson trupit të "mbajë mend" infeksionet e mëparshme dhe të reagojë më shpejt në të ardhmen.

Por infeksioni nga fruthi mund të ulë numrin dhe larmishmërinë e këtyre qelizave të kujtesës, duke i lënë fëmijët të pambrojtur ndaj një sërë sëmundjesh për të cilat kishin fituar më parë imunitet. Me fjalë të tjera, virusi nuk i sëmur fëmijët vetëm përkohësisht, ai mund të zhbëjë vite të tëra mbrojtjeje imunitare.

Në një studim, studiuesit zbuluan se 11% deri në 73% e antitrupave që luftonin sëmundje të tjera ishin zhdukur pas një infeksioni me fruth te fëmijët e pavaksinuar. Ky shterim imunitar nuk u vërejt te fëmijët e vaksinuar, çka sugjeron se vaksina mbron kundër këtij efekti të dëmshëm.

Kjo humbje e gjerë e mbrojtjes imunitare mund të shpjegojë pse shpërthimet e fruthit shpesh pasohet nga rritje të infeksioneve të tjera. Studimet në vijim po shqyrtojnë ndikimin e "amnezisë së fruthit" në rajone si Afrika Perëndimore, ku fruthi dhe sëmundje të tjera janë ende të përhapura.

Një vaksinë që bën më shumë?

Një tjetër teori që përpiqet të shpjegojë përfitimet më të gjera të vaksinës është ajo e "efektit jospecifik". Ndryshe nga "amnezia e fruthit", që shpjegon si virusi dobëson imunitetin, efekti jospecifik sugjeron se vaksina forcon në mënyrë aktive sistemin imunitar kundër shumë patogjenëve të ndryshëm.

Kërkime të fundit tregojnë se vaksina mund të rrisë funksionin e disa qelizave imunitare, duke i bërë më efektive në luftimin e sëmundjeve të tjera. Disa shkencëtarë besojnë se ky efekt, dhe jo vetëm parandalimi i amnezisë, mund të jetë arsyeja kryesore pse fëmijët e vaksinuar gëzojnë shëndet më të mirë në përgjithësi.

Vaksina kundër fruthit është një vaksinë e gjallë e dobësuar, që do të thotë se përdor një version të dobësuar të virusit për të stimuluar një përgjigje të fortë imunitare. Vaksina të gjalla, përfshirë edhe atë BCG kundër tuberkulozit, janë të njohura për efektet e tyre të trajnimit të sistemit imunitar dhe mund të shpjegojnë këtë mbrojtje jospecifike.

Harresë për rrezikun

Në vitet 1960, përpara se të përhapej vaksinimi masiv, fruthi shkaktonte rreth 2.6 milionë vdekje në vit. Sot është e vështirë të imagjinohet kjo, por pikërisht kjo është pjesë e problemit.

Me rënien e rasteve, shoqëria filloi të harrojë sa serioz është fruthi. Harrojmë sa ngjitës është (një person i infektuar mund ta transmetojë tek 90% e njerëzve të pavaksinuar përreth) dhe harrojmë sa efektiv është vaksinimi (dy doza japin mbi 90% mbrojtje afatgjatë).

Në disa qarqe, kjo harresë është zëvendësuar me diçka më të rrezikshme: mosbesim. Dezinformimi, mitet rreth vaksinave dhe retorika kundër vaksinimit po përhapen, njësoj si vetë virusi.

Pra, pavarësisht nëse mbrojtja shtesë nga vaksina vjen nga parandalimi i amnezisë imunitare, forcimi jospecifik i imunitetit, apo të dyja, përfundimi është i qartë: Vaksinoni fëmijët kundër fruthit. Sepse duke i mbrojtur nga fruthi, mund t'i mbrojmë edhe nga shumë sëmundje të tjera. / The Conversation - Syri.net