El Salvadori shkëmben 250 venezuelianë të ndaluar me lirimin e 10 amerikanëve të mbajtur në Venezuelë
Qeveritë e SHBA-së dhe El Salvadorit kanë njoftuar një marrëveshje të paprecedentë të shkëmbimit të të burgosurve, ku rreth 250 shtetas venezuelianë të ndaluar në burgun famëkeq Cecot të El Salvadorit u riatdhesuan në këmbim të lirimit të 10 shtetasve amerikanë që mbaheshin në Venezuelë. Marrëveshja vjen pas ndërmjetësimit të Presidentit salvadorian Nayib Bukele dhe në koordinim të afërt me administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Aeroplani me migrantët venezuelianë është planifikuar të mbërrijë në Maiquetía, Venezuelë gjatë së premtes, duke përmbyllur një shkëmbim të ndjeshëm që, sipas një zyrtari të lartë amerikan, për momentin ka eliminuar të gjithë shtetasit amerikanë të mbajtur nga regjimi i Nicolas Maduros.
Në një postim në rrjetin X, Bukele deklaroi se El Salvadori ka liruar të gjithë venezuelianët që mbaheshin si pjesë e organizatës kriminale Tren de Aragua (TDA). Ai shtoi se shkëmbimi përfshinte gjithashtu edhe një numër të konsiderueshëm të të burgosurve politikë të regjimit venezuelian. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marc Rubio, konfirmoi marrëveshjen, duke falënderuar personalisht Bukelen për ndërhyrjen vendimtare.
Ndër shtetasit amerikanë të liruar besohet të jetë edhe ish-ushtari i Navy Seal Wilbert Joseph Castaneda, i arrestuar në Venezuelë vitin e kaluar gjatë një udhëtimi personal. Ndërkohë, një nga venezuelianët e deportuar, Oscar González Pineda, i cili u ndalua në Dallas ndërsa punonte si montues qilimash, u dërgua pa paralajmërim në Cecot, pavarësisht këmbënguljes së familjes së tij se ai nuk kishte lidhje me bandën TDA.
Zyrtarë të administratës amerikane sqaruan se marrëveshja nuk përfshinte ndonjë diskutim për heqjen e sanksioneve ndaj Venezuelës, ndërsa shtuan se El Salvadori veproi në mënyrë të pavarur dhe për arsye humanitare. Disa nga familjet e të deportuarve venezuelianë kanë kundërshtuar akuzat për përfshirje në banda.
Ky shkëmbim është një tjetër shenjë e afrimit mes Bukeles dhe administratës Trump. Vizita e liderit salvadorian në Shtëpinë e Bardhë në prill dhe gatishmëria e tij për të mbështetur politikën e Trump për ndalimin e migrantëve e kanë forcuar këtë aleancë, duke sjellë në vëmendje ndikimin e Salvadorit në çështje diplomatike rajonale.
Bukele më herët kishte propozuar shkëmbimin e të gjithë 252 venezuelianëve të deportuar me një numër të barabartë të të burgosurve politikë në Venezuelë, propozim që u refuzua fillimisht nga Maduro, por që u pa më vonë si një mundësi e vlefshme për lirimin e shtetasve amerikanë.
Ndërkohë, El Salvadori mbetet në qendër të debatit ndërkombëtar për keqtrajtimet në Cecot, përfshirë rastin e Kilmar Ábrego García, i cili tha se ishte torturuar në burg pasi u deportua gabimisht dhe më pas u rikthye në SHBA për t’u përballur me akuza për trafikim njerëzor, që ai i ka mohuar.
Marrëveshja e ndjeshme vjen në një klimë të tensionuar diplomacie dhe shtron pyetje mbi balancat mes sigurisë, humanizmit dhe diplomacisë së fuqisë në politikën ndërkombëtare.