Fjalët e fundit të kapitenit të Air India para rrëzimit që vrau 260 vetë, hetimi zbulon se ai kishte fikur çelësat e karburantit dhe vuante nga humbja e nënës

Një muaj pas rrëzimit tragjik të avionit të Air India në Ahmedabad, ku humbën jetën 260 persona, hetimet kanë hedhur dritë mbi një skenar të pazakontë që përfshin kapitenin e avionit, Sumeet Sabharwal, i cili pak orë para fluturimit kishte premtuar se do të kthehej në shtëpi për të parë të atin.

Kapiteni 56-vjeçar, me mbi 8,200 orë fluturimi, ishte në bord të avionit Boeing 787 Dreamliner që u përplas në një zonë të banuar më 12 qershor, duke vrarë 241 pasagjerë dhe 19 persona në tokë. Sipas raportit paraprak të Byrosë së Hetimit të Aksidenteve Ajrore në Indi (AAIB), gjatë sekondave të para të fluturimit, dy çelësa furnizimi me karburant ishin kaluar nga pozicioni “Run” në “Cutoff”, duke ndërprerë furnizimin e motorëve me karburant.

Raporti citon se kishte konfuzion në kabinë mes kapitenit Sabharwal dhe bashkëpilotit Clive Kunder, 28 vjeç, pasi u kuptua defekti, dhe përpjekje të dëshpëruara për rikthimin e funksionit normal të avionit. Vetëm një person mbijetoi nga përplasja, ndërsa motori i dytë ende nuk kishte fituar fuqi të plotë në momentin e impaktit, kur avioni u përfshi nga flakët.

Pavarësisht dyshimeve për një veprim të qëllimshëm, miqtë dhe kolegët e kapitenit kanë mbrojtur figurën e tij, duke e përshkruar si një “shpirt të butë”, “pilot i shkëlqyer” dhe “njeri i përkushtuar familjes”. Ai kishte kaluar kohë të vështira pas humbjes së nënës dhe ishte zhvendosur në Mumbai për t’u kujdesur për të atin 90-vjeçar.

Ndërkohë, ekspertë të aviacionit dhe zyrtarë amerikanë po analizojnë mundësinë që ndërrimi i pozicionit të çelësave të jetë bërë manualisht, një veprim që kërkon ngritje dhe tërheqje të levave të mbrojtura nga mburoja sigurie – duke përjashtuar mundësinë e një gabimi të pavullnetshëm. Një zyrtar indian tha për NDTV se “ky ishte një veprim i qëllimshëm”.

Familjarët e viktimave i kanë kundërshtuar përfundimet e raportit, duke i cilësuar si një përpjekje për të fajësuar pilotët dhe për të mbuluar përgjegjësinë e Air India dhe qeverisë. Ata kërkojnë një hetim të pavarur ndërkombëtar.

Autoritetet indiane konfirmuan se të dy pilotët kishin kaluar testet mjekësore dhe kishin pushuar mjaftueshëm përpara fluturimit. Në avion nuk kishte mallra të rrezikshme dhe pesha ishte brenda kufijve të lejuar. Ndërsa Air India ka deklaruar se qëndron pranë familjeve të viktimave dhe se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet hetimore.

Hetimet vazhdojnë mes pyetjeve të shumta: A ishte kjo një gabim fatal njerëzor, një akt i qëllimshëm apo një problem teknik i nënvlerësuar ndër vite? Përgjigjet mbeten ende të hapura.