Drejtuesit kërkuan rikthimin më herët në stërvitje, lojtarët e Juventusit refuzojnë
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, drejtuesit e Juventusit kërkuan nga skuadra të rikthehej në stërvitje një javë më herët sesa ishte parashikuar, me qëllim përgatitjen më të mirë të sezonit të ri. Megjithatë, futbollistët e ekipit bardhezi nuk pranuan, duke preferuar të shfrytëzojnë të plota tri javët e pushimit të tyre pas një sezoni të ngarkuar dhe pjesëmarrjes në Kupën e Botës për Klube.
Vendimi i grupit u motivua nga nevoja për rikuperim fizik dhe mendor, me qëllim shmangien e dëmtimeve apo lodhjes kronike gjatë sezonit që vjen.
Ishte një qëndrim i unifikuar, që tregon edhe ndjeshmërinë e lojtarëve ndaj intensitetit të kalendarit të viteve të fundit.
Trajneri Igor Tudor, i emëruar së fundmi në krye të skuadrës, ka mirëkuptuar plotësisht arsyetimin e futbollistëve.
Kroati ka vendosur të mos krijojë tensione dhe ka pranuar vendimin e grupit, duke konfirmuar se faza përgatitore do të nisë zyrtarisht më 24 korrik.