Trump nënshkruan Aktin GENIUS: SHBA zyrtarisht me rregullore federale për kriptomonedhat

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar të premten në ligj Aktin Udhëzues dhe Vendosës të Inovacionit Kombëtar për Stablecoin-et e SHBA-së, i njohur si Akti GENIUS, duke vendosur për herë të parë një kuadër të qartë dhe gjithëpërfshirës federal mbi kriptomonedhat (stablecoin-et) – një formë kriptomonedhe të lidhur me asete të qëndrueshme si dollari amerikan apo ari.

Nënshkrimi i këtij ligji përfaqëson një moment historik për industrinë e kriptomonedhave dhe një kthesë në politikën financiare amerikane ndaj inovacionit dixhital.
Trump, gjatë ceremonisë së nënshkrimit, kujtoi zotimin e tij të bërë në korrik të vitit 2024 në një konferencë për bitcoin në Nashville, Tennessee, ku deklaroi se SHBA do të bëhej “kryeqyteti i kriptovalutave të planetit”.

“Unë u zotova se do ta rikthejmë lirinë dhe lidershipin amerikan dhe do ta bëjmë Shtetet e Bashkuara kryeqytetin e kriptomonedhave në botë. Dhe kjo është ajo që kemi bërë,” tha Trump të premten. “Nën administratën Trump, kjo po shkon vetëm më tej.”

Akti GENIUS përfshin rregulla të reja të detajuara për emetuesit e stablecoin-eve, duke përfshirë raportim publik mujor mbi rezervat, si dhe pasqyrime financiare të audituara për kompanitë që tejkalojnë 50 miliardë dollarë kapitalizim tregu, siç konfirmon Komiteti Bankar i Senatit. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projektligjin të enjten me 308 vota pro dhe 122 kundër, pasi ai kaloi në Senat me 68 vota pro dhe 30 kundër në muajin qershor.

“Për një kohë shumë të gjatë, industria e aseteve dixhitale në Amerikë është penguar nga rregullore të paqarta dhe nga një qasje armiqësore e administratës Biden ndaj kriptos,” deklaroi përfaqësuesi republikan Tom Emmer, i cili e cilësoi ligjin si një hap të madh përpara për sektorin dhe për “çlirimin e potencialit të tij të plotë”.

Megjithëse mori mbështetje dypartiake, legjislacioni nuk ishte unanimisht i përkrahur as nga të gjithë republikanët. 12 ligjvënës republikanë votuan kundër, ndërsa kritikat më të forta erdhën nga përfaqësuesja demokrate Maxine Waters, anëtare e Komitetit të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve.

Waters ngriti shqetësime për konflikt interesi, duke aluduar se Trump ka promovuar një kriptomonedhë personale të quajtur $TRUMP, dhe akuzoi se projektligji do t’i hapte rrugë “korruptimit të sistemit” nga kompani të huaja dhe kriminelë.

“Duke miratuar këtë projektligj, Kongresi po i dërgon botës mesazhin se është dakord me korrupsionin,” tha Waters të enjten. Ajo shtoi se kjo mund të krijojë hapësirë që individët të blejnë ndikim politik përmes aseteve dixhitale të lidhura me Trump.

Përveç Aktit GENIUS, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi edhe dy masa të tjera të rëndësishme për sektorin e kriptomonedhave:

• Akti CLARITY, i cili synon të ofrojë më shumë transparencë dhe qartësi rregullatore për asetet dixhitale të tregtueshme,

• Akti Anti-CBDC, i cili ndalon Rezervën Federale të zhvillojë ose të ofrojë një monedhë dixhitale të bankës qendrore (CBDC) që mund të përdoret direkt nga individët, për të mbrojtur privatësinë e qytetarëve.

Trump e përshkroi ligjin e nënshkruar si “ndoshta revolucioni më i madh në teknologjinë financiare që nga lindja e internetit”, ndërsa komuniteti i kriptomonedhave e konsideron këtë hap si një fitore historike që u hap rrugë inovacionit, sipërmarrjes dhe investimeve në një sektor me ndikim global gjithnjë në rritje.