Shpërthimi në Los Angeles: Po transportoheshin municione të pashpërthyera në momentin e ngjarjes
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm një zonë në lindje të Los Angeles, teksa një ekip sigurie po transportonte një “mulli të pashpërthyer”, sipas raportimeve të mediave amerikane.
Sipas Los Angeles Times dhe KTLA, oficerët ishin duke lëvizur municione të pashpërthyera kur ndodhi shpërthimi, ndërsa Fox News raporton se eksplozivët ishin zbuluar që të enjten në mbrëmje, me orën lokale. Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë.
Zona përreth vendit të ngjarjes është evakuuar për arsye sigurie dhe forca të shumta të Departamentit të Policisë së Los Angeles (LAPD) ndodhen në terren për të trajtuar çdo rrezik të mundshëm nga eksplozivë të tjerë që mund të gjenden në vendngjarje.
Nuk dihet ende numri i saktë i viktimave apo të lënduarve, ndërkohë që autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin zonën deri në një njoftim të dytë. Situata mbetet e tensionuar ndërsa forcat e specializuara po punojnë për të siguruar të gjithë perimetrin.