Precedenti Boeri/ 'Çmimet për m2 në Milano sa në Tiranë', Kepi: Pastrimi i parave në ndërtim amnistohet, PD ka denoncuar krimin urbanistik

Gazetarja Alba Kepi ka komentuar skandalin më të fundit në fushën e urbanistikës në Milano, ku në qendër të vëmendjes është vënë arkitekti Stefano Boeri, i njohur edhe për projektin “Tirana 2030” dhe për angazhimin në disa projekte të tjera në kryeqytetin shqiptar.

E ftuar në edicionin e mesditës në Syri TV me moderatorin Evdin Parruca, Kepi tha se Prokuroria e Milanos dhe Guardia di Finanza kanë ndërmarrë një operacion të gjerë, duke ekzekutuar gjashtë masa ndalimi – mes tyre edhe arrest shtëpiak – dhe 24 kontrolle, përfshirë edhe në ambientet institucionale të Bashkisë së Milanos. Ndër të hetuarit ndodhet edhe Boeri.

Sipas gazetares, hetimet kanë zbuluar një ekspansion të pakontrolluar të sektorit të ndërtimit në qytetin e Milanos, siç është theksuar edhe në dosjen hetimore të përgatitur nga prokurorët. “Kjo është baza e aktakuzës që është ngritur dhe e gjithë ajo që ka ndodhur në Milano”, u shpreh Kepi.

Ajo vuri në dukje se ndryshimi thelbësor mes Milanos dhe Tiranës qëndron në faktin se në Itali hetimet nisin nga drejtësia, nga prokuroria, e cila ka ndjekur këtë çështje për më shumë se dy-tre vite, që nga dyshimet e para. Në Tiranë, sipas saj, janë këshilltarët bashkiakë dhe opozita që ngrejnë shqetësime dhe bëjnë denoncime, por pa asnjë reflektim institucional nga organet e drejtësisë.

Duke folur për fenomenin e rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme, Kepi përmendi edhe një raport të fundit të mediave italiane, sipas të cilave çmimi për një metër katror në Milano ka arritur në 5500 euro. Ajo tha se ky çmim është i krahasueshëm me atë në Tiranë, duke argumentuar se pas kësaj fshihet i njëjti “modus operandi” – një model ndërtimi i pakontrolluar dhe i favorizuar nga grupe të caktuara interesi.

“Është i njëjti sistem favorizimesh, të cilin jo vetëm këshilltarët bashkiakë, por edhe Partia Demokratike e ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për një krim urbanistik, por edhe për një skemë të riciklimit të parave që zhvillohet hapur, në sytë e të gjithë banorëve, politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare me seli në Tiranë – dhe pa asnjë reagim nga drejtësia”, vijoi gazetarja.

Kepi:

 Ajo çka ka ndodhur në Milano gjatë orëve të fundit dhe po zbardhet orë pas ore edhe nga kolegët gazetarë italianë është se po tregohet ajo çka është shkruar edhe në dosje hetimore nga prokurorët.

Një ekspansion i pakontrolluar i sektorit të ndërtimit në qytetin e Milanos.

Këtë e kanë shkruar prokurorët e çështjes dhe mbi bazën e kësaj konference ngrihet gjithë aktakuza dhe gjithçka që ka ndodhur në qytetin e Milanos.

Por ka një ndryshim thelbësor pasi në Milano, në Itali, këto ndryshime nisin nga drejtësia, nisin nga prokuroria, janë hetime që kanë vite, kanë mbi 2-3 vite, që kur nisin ato dyshimet e para ose shfaqja e parë se çfarë po ndodh në qytet, pse po bëhet ky transformim, ky levrim i madh fondesh publike, çfarë po ndodh dhe është prokuroria që nis një proces hetimor, kurse në Tiranë janë këshilltarët bashkiakë, është opozita, është forca opozitare e cila kërkon dhe bën denoncime të tilla por që nga ana tjetër nuk ka një përkthim të asaj që duhet të bëjë drejtësia. Të nisë hetime serioze, jo për veshjet e bashkëshortes së kryetarit të bashkisë por për atë që po ndodh në Bashkinë e Tiranës.

Për shembull u publikua diçka mjaft e rëndësishme nga mediat italiane, habiteshin gazetarët italianë, sesi qyteti i Milanos, çmimi për m² i banesave ka arritur në 5500 euro metri katror m².
Dhe ajo që thashë unë ishte se s’ka asgjë për t’u çuditur, çmimet në qytetin tim Tiranë, është i njëjti çmim, pasi do të thotë është e njëjta modus operandi, është e njëjta mënyrë e këtij ekspansioni të pakontrolluar e kësaj mënyre të ndërtimit të qytetit.

Është e njëjta mënyrë e favorizimeve për grupe të caktuara të interesave për të bërë atë që shpesh herë ne, jo vetëm këshilltarët bashkiakë por edhe Partia Demokratike ka denoncuar, pra fakti që kemi të bëjmë jo vetëm me një krim urbanistik por kemi të bëjmë me një riciklim parash që bëhet në sy të të gjithë banorëve, bëhet në sy të të gjithë politikës dhe diplomacisë botërore që ka selitë e veta në Tiranë dhe nuk kemi asnjë lloj reagimi.