SYRI TV/ Dështon mbledhja e këshillit bashkiak Durrës, Bashkia tenton të përdor rindërtimin
Bashkia e Durrësit vijon të përdorë procesin e rindërtimit në mënyrë jo transparente, për të shpenzuar miliona euro të tjera.
Këtë të premte, dështoi mbajtja e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, pasi bashkia e Durrësit tentoi të fuste për miratim pa transparencë disa projektvendime që lidhen me rindërtimin. Opozita e kundërshtoi këtë praktikë, ndërsa bojkoti mbledhjen në shenjë proteste.
Teksa kanë kaluar rreth 6 vjet nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Bashkia e Durrësit duket se po vijon të përdorë ende fatkeqësinë natyrore për qëllime financiare. Në një kohë kur do të duhej që i gjithë procesi i rindërtimit të ishte mbyllur, në Durrës bashkia ka tentuar të fusë në rend dite për miratim në këshillin bashkiak gjashtë projektvendime, që lidhen me procesin e rindërtimit.
Por deri këtu do të ishte normale, nëse qëllimi do të ishte interesi publik dhe miratimi i përforcimit të disa pallateve do të bëhej sipas procedurave. Kjo nuk ka ndodhur. Bashkia e Durrësit, vetëm 10 orë para mbajtjes së mbledhjes së këshillit bashkiak, ka futur në rend dite për miratim pikërisht projektvendimet, që përkthehen në qindra, ndoshta miliona euro të tjera investime për rindërtimin në këtë qytet. Për t’i bërë pritë një abuzimi me financat publike në emër të qytetarëve, këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak, kundërshtuan projektvendimet e futura fshehurazi në rend dite, ndërsa bojkotuan në shenjë proteste mbledhjen e këshillit.
Për shkak të mungesës së kuorumit, mbledhja e Këshillit Bashkiak në Durrës dështoi, pasi socialistët nuk plotësonin numrin e nevojshëm për zhvillimin e saj.