SYRI TV/ Italianët “braktisin” Shqipërinë turistike - Media italiane: Në Shqipëri u rritën çmimet...

Shqipëria nuk është më parajsa e çmimeve të ulëta, duke bërë që të përgjysmohet numri i shtetasve italianë që kërkojnë të kalojnë pushimet në Shqipëri. Në një artikull të Corriere del mezzogiorno, tregohet se rritja e çmimeve, problemet me shërbimet dhe vetë oferta turistike, ka bërë që të zbehet interesi i italianëve për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar. Mediat në vendin fqinj raportojnë se për këtë vit, numri i italianëve që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, ka rënë me rreth 50 për qind në raport me tre vjet më parë.

Syri TV

Teksa pak ditë më parë operatorët turistikë në vend, treguan se kanë më pak rezervime se një vit më parë, konfirmimin e këtij fakti e japin mediat italiane. Në një artikull të gjatë, variant online i  “Corriere del mezzogiorno”, shkruan se qytetarët italianë po braktisin Shqipërinë. Sipas medias përtej Adriatikut, shkak i rënies së interesit të italianëve për të kaluar pushimet në Shqipëri, është rritja e çmimeve, shërbimet dhe vetë oferta turistike.

Efekti i Shqipërisë, për sa i përket turizmit në plazh, duket se po zbehet. Ose më saktë, nuk tërheq më segmentin e turistëve italianë të cilët, gjatë tre viteve të fundit, e kanë gjetur të përshtatshme të kalojnë pushimet në anën tjetër të Adriatikut. "Në të vërtetë," shpjegon Michele Viola, pronare e operatorit turistik Goodays, "ne kemi vënë re tashmë një rënie fillestare në fund të sezonit të verës së kaluar. Ky trend është përsëritur ndjeshëm në vitin 2025: pak njerëz po telefonojnë për të rezervuar bregdetin shqiptar; grupet preferojnë të zgjedhin mundësi të tjera."

Corriere del mezzogiorno citon më tej eksperten italiane të turizmit, e cila shprehet se rezervimet për në Shqipëri janë përgjysmuar në raport me tre vjet më parë.

Pra, ndërsa Shqipëria ofronte një raport të përshtatshëm kosto-përfitim, kombinimi nuk funksionon më. Rezervimet janë shumë më poshtë gjysmës së asaj që ishin tre vjet më parë." Agjencia jonë po ecën mirë me ture të organizuara, nga Egjipti në Dubai e deri në Spanjë.

Ekspertë të tjerë, të cituar nga Corriere del mezzogiorno, si Massimo Salomone, kordinator i seksionit të turizmit në Konfindustrian e Pulias dhe Barit, shprehet se në Shqipëri çmimet janë rritur, ndërsa ai shton se rrija e çmimeve ka dekurajuar shtetasit Italian të kalojnë pushimet në Shqipëri.