Si mund ta shmangë kryeministri francez një krizë tjetër buxhetore?
Kryeministri francez Francois Bayrou duhet të bindë ligjvënësit socialistë të opozitës në muajt e ardhshëm, që të tolerojnë shtrëngimin e tij të buxhetit prej 44 miliardë eurosh ose përballet me rrezikun e rrëzimit.
Bayrou po e sjell buxhetin e tij të vitit 2026 në një parlament të përçarë, ku partitë e majta ekstreme dhe të djathta ekstreme, kërcënojnë me mocione mosbesimi kundër tij, nëse ai nuk bën ndryshime të mëdha. Megjithatë, nëse ai arrin t'i bindë socialistët të paktën të përmbahen nga mbështetja e mocioneve të tilla, qeveria e pakicës e Bayrou-t mund ta miratojë buxhetin, që do të thotë se ai duhet ta rishkruajë legjislacionin mjaftueshëm që ata ta pranojnë atë.
Politikanët do të nisen për pushimet verore, me parlamentin që rikthehet më 22 shtator, duke i dhënë praktikisht Bayrou-t dy muaj kohë për të zbutur rezistencën e socialistëve ndaj planeve të tij.
PROPOZIMI I BAYROU-t
Bayrou synon të ulë deficitin buxhetor të Francës, më të madhin në zonën e euros, nga 5.4% në limitin prej 3% të PBB-së së Bashkimit Evropian deri në vitin 2029. Paketa e tij prej 43.8 miliardë eurosh, ngrin shumicën e shpenzimeve jo-mbrojtëse dhe eliminon dy festa zyrtare.
Gati 21 miliardë euro vijnë nga kufizimi i rritjes së shpenzimeve sociale dhe të qeverisjes vendore, pa rregullime inflacioni për pagat e sektorit publik ose përfitimet e mirëqenies. 10 miliardë euro të tjera synojnë personat me të ardhura të larta përmes një takse "solidariteti", kufizojnë lehtësimet tatimore për pensionistët dhe godasin mashtrimin.
ÇFARË NDODH MË PAS?
Ndërsa politikanët debatojnë për buxhetin gjatë pushimeve të tyre verore, sindikatat po shqyrtojnë mundësinë e grevave - CGT e linjës së ashpër është në favor, ndërsa CFDT e moderuar nuk e ka përjashtuar atë. Kthimi i shtatorit nga pushimet verore premton të jetë veçanërisht i tensionuar, ndërsa partitë marrin përsipër pozicione.
Bayrou duhet ta finalizojë projektligjin e tij për buxhetin deri më 1 tetor, kur ai duhet t'u dërgohet ligjvënësve. Pa shumicë, ai ka të ngjarë që në një moment të caktuar të përdorë nenin 49.3 të kushtetutës për të miratuar buxhetin pa votim, duke shkaktuar mocione mosbesimi të pashmangshme. Mbijetesa e tij do të varet nga abstenimi i socialistëve.
KËRKESAT E SOCIALISTËVE
Socialistët kërkojnë një rishikim të plotë të buxhetit, duke argumentuar se ngrirja e shpenzimeve rëndon mbi punëtorët dhe pensionistët e zakonshëm, ndërsa i trajton të pasurit me ‘përkëdheli’. Ata e kanë kritikuar rritjen e taksave prej 4 miliardë eurosh të Bayrou-t mbi ata që fitojnë shumë, si tepër të pamjaftueshme.
Bayrou ka sinjalizuar një gatishmëri për t'u përshtatur, por ai përballet me kufizime nga aleatët që mendojnë se barra tatimore e Francës është tashmë e tepërt.
Socialistët janë gjithashtu kundër planeve për të mos zëvendësuar disa punonjës publikë në pension dhe heqjen e dy festave zyrtare.
NËSE QEVERIA BAYROU BIE
Nëse Bayrou nuk arrin të qetësojë socialistët dhe të bjerë, Presidenti Emmanuel Macron do të duhet të gjejë një kryeministër të ri, siç ndodhi me paraardhësin konservator të Bayrou-t, Michel Barnier, në dhjetor.
Kjo do ta linte legjislacionin e buxhetit në pezull gjatë formimit të një qeverie të re, e cila mund të zvarritet në mungesë të shifrave të pranueshme për të paktën disa parti.
Nga ana tjetër, Macron mund të thërrasë përsëri zgjedhje të parakohshme legjislative, duke e zhytur Francën edhe më thellë në pasiguri politike./ Reuters.