Stadiumi i ri i Real Madridit, dyfishohen kostot e ristrukturimit të 'Bernabeut', shifra ka arritur 1.3 miliardë euro

Real Madrid është në prag të përfundimit të një prej projekteve më ambicioze në historinë e klubit: ristrukturimi total i stadiumit “Santiago Bernabeu”. Megjithatë, fatura për këtë transformim ka dalë shumë më e lartë se parashikimet fillestare: kostot janë rritur në 1 miliard e 347 milionë euro, pothuajse dy herë më shumë se shifra e parashikuar fillimisht.

Sipas raportit financiar të sezonit 2024-2025, i publikuar nga vetë klubi dhe cituar nga ‘El Mundo Deportivo’, investimi fillestar ishte 575 milionë euro, i siguruar nëpërmjet një huaje në vitin 2018. Në vitin 2021 u shtuan edhe 225 milionë euro për projektin e fushës me bar tërheqës, një teknologji revolucionare që e bën “Bernabeun” stadiumin më inovativ në botë. Por kostoja është rënduar më tej edhe nga 370 milionë euro të tjera, si pasojë e rritjes së çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë.

Ndërkohë që përfundimi i punimeve parashikohet për sezonin e ardhshëm, një tjetër shpenzim i ri po i shtohet buxhetit: puna për izolimin akustik të stadiumit. Banorët e zonës përreth janë ankuar për zhurmat e koncerteve që organizohen në stadiumin multifunksional, duke detyruar Realin të pezullojë përkohësisht aktivitetet artistike. Klubi ka vendosur të ndërhyjë me masa të reja kundër zhurmave, për të ruajtur këtë burim të rëndësishëm të ardhurash.

Pavarësisht shifrave të mëdha të shpenzuara, bilanci i përgjithshëm i Real Madrid-it për sezonin mbyllet me një fitim neto prej 24 milionë eurosh. Nga huaja e marrë për projektin, deri më tani klubi ka shlyer vetëm 38 milionë euro, çka tregon se përballja me pagesat do të jetë një sfidë e gjatë për “Los Blancos”.