Magnus Carlsen mposht ChatGPT në shah pa humbur asnjë figurë
Në një episod të veçantë që ka zgjuar interes të madh në rrjetet sociale, kampioni norvegjez i shahut Magnus Carlsen ka zhvilluar një ndeshje të pazakontë: përballë një inteligjence artificiale: ChatGPT. Dhe jo vetëm që doli fitues, por përmbylli lojën pa humbur asnjë prej figurave të tij.
“Ngandonjëherë mërzitem kur udhëtoj”, shkroi Carlsen në rrjetet sociale, duke publikuar fotot nga ndeshja që zgjati vetëm 53 minuta. Aty shihej se të gjithë ushtarët e ChatGPT ishin eliminuar, ndërsa Carlsen e kishte mbajtur bordin të paprekur.
Për më tepër, ChatGPT e pranoi humbjen me sportivitet dhe e komplimentoi stilin e pastër të lojës së Carlsen: “Dorëzohem. Ishte metodike, e pastër dhe precize”, thuhej në përgjigjen e inteligjencës artificiale.
Vetë Carlsen u shpreh se ChatGPT luajti mirë në hapje, por nuk arriti ta mbante ritmin më tej. Kur i kërkoi mendimin për performancën e tij, ChatGPT e vlerësoi lart: “Lojën tënde e karakterizon durimi, njohuritë taktike dhe përfundimi teknik. Do ta vlerësoja në nivelin 1800-2000 ELO, ndoshta edhe më shumë nëse ruan këtë mprehtësi taktike.” Kujtojmë se Carlsen ka një vlerësim zyrtar prej 2839 pikësh ELO, më i larti në botë.
Ky rast kujton përballjet historike midis njeriut dhe kompjuterit në shah, si ajo mes Kasparovit dhe Deep Blue në 1996, që hapi një epokë të re në marrëdhënien midis teknologjisë dhe inteligjencës njerëzore. E megjithatë, për momentin, Magnus Carlsen dëshmoi se mjeshtëria njerëzore mbetet ende një hap përpara – të paktën kur bëhet fjalë për shah.