Disa javë pas hapjes, Koreja e Veriut ndalon turizmin e huaj në resortin bregdetar
Koreja e Veriut ka pezulluar hyrjen e vizitorëve të huaj në vendpushimin e saj të ri plazhor në Wonsan-Kalma, vetëm disa javë pasi e hapi vendin për turistët vendas dhe një grup të vogël rusësh, njoftoi të mërkurën faqja shtetërore e turizmit DPR Korea Tour.
Kompleksi bregdetar lindor, për të cilin Pheniani pretendon se mund të akomodojë deri në 20,000 mysafirë, ishte promovuar nga udhëheqësi Kim Jong-un, si "një nga sukseset më të mëdha të këtij viti".
Megjithatë, vendi tani “nuk po pret përkohësisht turistë të huaj”, thuhet në deklaratë, pa dhënë një arsye ose pa treguar se kur mund të hiqet ndalimi.
Njoftimi vjen pas vizitës së fundit të Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov në kompleks, për bisedime me Kim dhe Ministren e Jashtme Choe Son-hui.
Lavrov kishte shprehur optimizëm për rritjen e turizmit rus në zonë, duke thënë: “Jam i sigurt se turistët rusë do të jenë gjithnjë e më të etur të vijnë këtu.”
Megjithatë, analistët sugjerojnë se Pheniani mund ta ketë vendosur pezullimin pasi artikulli i një gazetari rus, nënkuptonte se koreano-veriorët vendas në vend dukeshin të organizuar nga autoritetet dhe jo nga pushues të vërtetë.
«Besohet se qeveria e Koresë së Veriut ka përcaktuar se do të përballet me disa pasoja negative kur ta hapë vendin për të huajt», tha Oh Gyeong-seob, i Institutit Korean për Unifikimin Kombëtar të Seulit.
Lee Sangkeun i Institutit për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare në Seul shtoi se vendimi mund të lidhet edhe me vështirësitë në tërheqjen e turistëve rusë, duke pasur parasysh distancën e vendit dhe kostot e udhëtimit.
Megjithatë, ekspertët besojnë se ndalimi ka të ngjarë të jetë jetëshkurtër. Zhvillimi i Wonsan-Kalma — që besohet se ka kërkuar investime të konsiderueshme nga ekonomia tashmë e tensionuar e Koresë së Veriut — kishte për qëllim të gjeneronte valutë të huaj përmes turizmit.
“Nëse turistët e huaj nuk lejohen të vizitojnë këtë vend, nuk do të hyjnë rubla ruse, juanë kinezë dhe dollarë. Atëherë, Koreja e Veriut nuk do të mund të përballojë jetesën dhe duhet ta mbyllë resortin”, tha Ahn Chan-il, kreu i Institutit Botëror për Studime të Koresë së Veriut.
Edhe pse vendpushimi ka qenë i mbushur me vizitorë vendas, nuk ka pasur ende konfirmim se kur do të rifillojë turizmi ndërkombëtar. Turet në grup nga Kina, të cilat përbënin mbi 90% të vizitorëve para pandemisë COVID-19, ende nuk kanë rifilluar.
Kim më parë e ka cilësuar vendpushimin Wonsan-Kalma si "hapin e parë krenar" në ringjalljen e sektorit të turizmit të vendit./ Euronews.