Këta demokratë besojnë se Kamala ka fituar zgjedhjet – në një univers alternativ

Është ora 4 e mëngjesit natën e zgjedhjeve dhe gjërat nuk po duken mirë për Kamala Harrisin.

Donald Trump tashmë i ka fituar shtetet kyçe si Georgia dhe Wisconsin dhe duket se do marrë edhe Pennsylvania-n, çka do të thotë se zgjedhjet do të shpallen në favorin e tij.

Por ndoshta gjërat nuk janë siç duken. Sipas një numri gjithnjë në rritje të mbështetësve të Partisë Demokrate me prirje shpirtërore, ora 4 e mëngjesit me 6 nëntor 2024 është momenti kur “universi u nda më dysh”, duke na lënë në një linjë alternative kohore ku Trump është president.

Në realitet, pretendojnë ata, Harrisi u vendos në Shtëpinë e Bardhë, dhe është vetëm çështje kohe para se të gjithë ta kuptojmë kolektivisht gabimin tonë dhe të rikthehemi në linjën “e saktë” të kohës.

Psefologët (ekspertë të analizës së zgjedhjeve) mund ta vënë në dyshim këtë, por për mijëra vetë që vetëpërkufizohen si magjistarë dhe mistikë në TikTok, provat janë të pakundërshtueshme.

I njohur si “Klubi i orës 4 të mëngjesit”, kjo lëvizje është themeluar nga Gia Prism, e cila e përshkruan veten si medium psikik dhe shëruese, dhe është cilësuar si “QAnon-i i së majtës”.

Videot e anëtarëve të “Klubit të orës 4 të mëngjesit” në rrjete sociale kanë mbledhur qindra mijëra shikime, ku kryesisht vajza të reja përshkruajnë përvoja çuditërisht të ngjashme nga nata e zgjedhjeve.

Rreth orës 4 të mëngjesit, njerëz në të gjithë Amerikën pretendojnë se janë zgjuar me një ndjesi të rëndë në stomak që Trump do të fitonte presidencën.

“Nuk ishte thjesht një ndjenjë, përjetuam një përvojë mistike të përbashkët atë natë,” thotë Prism në një nga videot e saj. “Kishim të njëjtët ëndrra, të njëjtat vizione, dëgjuam të njëjtat këngë, dëgjuam zërat e të dashurve tanë të ndjerë.”

Përdoruesja e TikTok-ut “heartmeggieheart”, një lexuese tarotësh dhe astrologe, e përshkroi përvojën e saj si një “ndryshim energjie”.

“E pyeta veten: ku jam? Në çfarë bote ndodhem?” tha ajo. “Nuk e them këtë nga deluzioni apo për të ushqyer shpresa të rreme, por thjesht dukej si diçka e përkohshme.”

Një përdoruese tjetër e TikTok-ut pretendoi se djali i saj dyvjeçar u zgjua dhe bërtiti “jo” në orën 4 të mëngjesit. “Ai nuk ka asnjë vetëdije politike,” sqaroi ajo.

Një tjetër përshkroi se kishte përjetuar një “trazim të forcës”, ndërsa një e tretë kujtoi se ishte zgjuar në orën 2 të mëngjesit dhe e justifikoi ndjesinë me ndryshimin e zonës kohore.

Për Prism, e cila e përshkruan veten si një “portal për në botën tjetër” dhe shet parashikime psikike online për vetëm 7 dollarë, kjo kishte “kuptim të plotë”.

Por për shumë të tjerë, ajo tha se nata e zgjedhjeve shërbeu si një “thirrje zgjimi”, që i shtyu në një “udhëtim shpirtëror”.

Disa janë përpjekur të japin një shpjegim shkencor për këtë përvojë kolektive, duke argumentuar se ideja mund të mbështetet nga teoria se të gjitha rezultatet e mundshme të matjeve kuantike realizohen fizikisht në univers të ndryshëm, të pavarur nga njëri-tjetri. Prandaj, është racionale të besohet se në të paktën një univers, Harris doli fituese.

Kelley Daring, videot e së cilës në “Klubin e orës 4” kanë grumbulluar qindra mijëra shikime, tha: “Linjat alternative të kohës absolutisht ekzistojnë, jo si fantazi, por si një strukturë themelore e realitetit. Një strukturë që shkenca sapo ka filluar ta prekë, edhe pse ende përpiqet të përkthejë atë që mistikët e dinë prej mijëra vitesh.”

Lëvizja është tallur nga mbështetësit e Trump-it, të cilët i kanë quajtur besimet e tyre “halucinacione të Harrisit” dhe “demokraci me një dozë astrologjie”.

Charlie Kirk, një aktivist i së djathtës, e përshkroi këtë lëvizje të skajshme si shembull të paaftësisë së demokratëve për të pranuar humbjen.

“Kjo është shfaqja më ekstreme e delirit demokrat,” tha ai. “Baza e gjithçkaje që ata besojnë është një luftë ndaj realitetit.”

Joseph Uscinski, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Miamit, i cili ka shkruar disa libra për teoritë konspirative, tha: “Grupime të tilla kanë ekzistuar gjithmonë, ekzistojnë besime nga më të çuditshmet.

“Më parë ishte shumë më e vështirë t’i gjeje nëse nuk i kërkoje. Tani, për shkak të rrjeteve sociale, është shumë e lehtë t’i gjesh. Kjo nuk do të thotë se janë më bindëse ose po rriten.”

Teoritë konspirative në politikën moderne amerikane zakonisht lidhen me të djathtën. Në vitin 2016, teoria “Pizzagate”, që pretendonte se një rrjet satanik pedofilësh i lidhur me Hillary Clinton drejtonte një rrjet trafikimi të fëmijëve nga një piceri në Uashington DC, ushqeu lëvizjen QAnon, që më pas pretendoi në mënyrë të rreme se zgjedhjet e ardhshme ishin të manipuluara.

Aktualisht, ideja se Jeffrey Epstein, financieri pedofil, kishte një listë klientësh që e përdorte për të shantazhuar figura të fuqishme, po e përçan Partinë Republikane.

Por ndryshe nga këto teori, të cilat kryesisht qarkullonin në forume të dominuara nga meshkuj si 8Chan dhe Reddit, “Klubi i orës 4” përbëhet pothuajse ekskluzivisht nga gra që mbështeten te “intuita femërore” dhe “hyjnia femërore” për njohuritë e tyre.

Disa ndjekëse madje kanë hedhur poshtë kritikat ndaj lëvizjes si shprehje të mizogjinisë.

“Tallja na prek plagë të vjetra e të lashta: shtrigat e djegura, orakujt e mbyllur në institucione, gratë e urta të heshtura,” tha Daring. “Përqeshja nuk është thjesht moderne, është e trashëguar. Por ne qëndrojmë fort, edhe kur toka dridhet nën këmbë.”

Cinikët mund të qeshin. Por ndërsa Harris vlerëson hapat e ardhshëm në karrierën e saj politike, ndoshta do të këshillohet edhe me topin e kristaltë, përveç këshilltarëve të saj./ The Telegraph  - Syri.net