Laporte rikthehet tek Al Nassr mes të panjohurash, e ardhmja në dorë të Cristianos

Aymeric Laporte ka nisur stërvitjen me Al Nassr, ku tashmë është nën urdhrat e trajnerit të ri Jorge Jesus, por e ardhmja e tij mbetet ende pezull. Mbrojtësi spanjoll ka edhe një vit kontratë, me një pagë të majme prej 25 milionë eurosh neto, një shumë që asnjë klub europian nuk mund ta përballojë aktualisht.

Laporte e sheh me sy të mirë një rikthim në Kontinentin Europian, por kjo nuk është një lëvizje e lehtë. Klubi arab, i cili pagoi 27.5 milionë euro për kartonin e tij dy vite më parë, kërkon të paktën gjysmën e kësaj shume për ta lënë të largohet.

Situata është komplikuar edhe nga mungesa e një figure drejtuese të qartë në klub. Fernando Hierro, që drejtonte projektin sportiv, është larguar dhe sipas burimeve nga Arabia, José Semedo, një mik i afërt i Cristiano Ronaldos, mund të marrë drejtimin. Pikërisht Cristiano, i cili ka ndikim të madh në vendimmarrjet e klubit, duket se ka luajtur një rol kyç edhe në emërimin e Jorge Jesus si trajner.

Portugezi i njohur, që ka drejtuar më parë Al Hilal, rikthehet në kampionatin saudit dhe do të drejtojë klubin e tij të 16-të në karrierë. Kjo është hera e parë që do të punojë me Cristiano Ronaldon, i cili sërish ka marrë atë që dëshironte: një trajner me përvojë dhe njohje të mirë të realitetit arab.

Për Laporte, gjithçka mbetet e hapur. Klubi nuk ka refuzuar kategorikisht një largim, por kushdo që dëshiron ta transferojë duhet të bindë jo vetëm Al Nassr, por edhe Cristianon.