Pse disa persona autikë ecin ndryshe?
Autizmi është një gjendje neurozhvillimore që ndikon në mënyrën si zhvillohet dhe funksionon truri, duke ndikuar sjelljen, komunikimin dhe lëvizjen. Një nga tiparet më pak të njohura, por të zakonshme, është mënyra e ndryshme e të ecurit, e njohur si “gait” (ecje). Manuali Diagnostik dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore tani e përfshin një "ecje të pazakontë" si një veçori ndihmëse në diagnostikimin e autizmit.
Si duket kjo?
Dallimet më të dukshme në ecje përfshijnë:
Ecje në majat e gishtave
In-toeing (këmbët të kthyera nga brenda)
Out-toeing (këmbët të kthyera nga jashtë)
Përveç këtyre, studimet kanë treguar dallime më të imta si ecja më e ngadaltë, hapa më të gjerë, dhe më shumë kohë e kaluar me këmbën në tokë. Personat autikë gjithashtu tregojnë shumë më tepër luhatje në gjatësi dhe shpejtësi të hapave.
Këto dallime zakonisht shoqërohen me vështirësi të tjera motorike si probleme me ekuilibrin, koordinimin, qëndrimin dhe aftësi të imta motorike, si shkrimi me dorë. Kjo do të thotë që mund të nevojitet mbështetje edhe në këto fusha.
Çfarë i shkakton këto dallime?
Dallimet në ecje kryesisht lidhen me ndryshimet në zhvillimin e trurit, veçanërisht në gangliet bazale dhe cerebelum:
Gangliet bazale ndihmojnë në sekuencimin dhe automatizimin e lëvizjes.
Cerebelumi ndihmon në koordinimin e lëvizjes përmes informacionit vizual dhe ndjesor për të ruajtur ekuilibrin.
Ndryshimet në strukturën, funksionin dhe lidhjet e këtyre zonave me pjesë të tjera të trurit ndikojnë në mënyrën unike të të ecurit. Ndryshe nga më parë, tani dihet se këto dallime nuk zhduken me kalimin e moshës, por mund të bëhen edhe më të dukshme.
Stili i lëvizjes ndikohet edhe nga aftësitë gjuhësore dhe njohëse të individit. Ata që kanë nevoja më të mëdha mbështetëse shpesh tregojnë edhe më shumë vështirësi në ecje.
Si trajtohen?
Jo të gjitha dallimet në ecje kërkojnë trajtim. Mbështetja jepet vetëm kur ka ndikim funksional, si: rrezik për rënie, vështirësi në aktivitete fizike, dhimbje ose ngurtësi në muskujt e këmbëve ose shpinës.
Zhvillimi i aftësive motorike mund të ndodhë jashtë klinikës, si në shkolla apo në aktivitete komunitare. Programe si Joy of Moving në Australi kanë treguar se aktivitetet si vallëzimi ose sporti ndihmojnë zhvillimin fizik dhe social të fëmijëve autikë.
Këto modele mbështetëse e trajtojnë mënyrën e lëvizjes si pjesë të identitetit, jo si problem për t’u "rregulluar". / Medicalxpress - Syri.net