Futbollisti brazilian rrëfen dramën: Roma ma fshehu tumorin në tru
Leandro Castan, ish-mbrojtës brazilian i Romës, ka ndarë një rrëfim tronditës për sëmundjen që i ndryshoi jetën në vitin 2014. Në një intervistë për ‘Corriere della Sera’, ai ka deklaruar se klubi i Romës i kishte fshehur diagnozën e tumorit në tru, të cilin ai e mësoi përmes një artikulli në rrjetet sociale.
“Në fillim, mjeku i klubit më dërgoi në shtëpi pa më thënë asgjë konkrete, edhe pse ishte i shqetësuar. Për 15 ditë mezi qëndroja në këmbë, villja vazhdimisht, humba 20 kilogramë dhe isha pa forcë. Kur pashë në Twitter një artikull që shkruante ‘Leandro Castan ka tumor në tru, mund të vdesë’, më pushtoi frika. Askush nuk më kishte thënë asgjë,” kujton Castan.
Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të hequr kavernomën në tru, ndërhyrje që i shpëtoi jetën, por i mori dy vite për t’u rikuperuar plotësisht.
Pavarësisht tronditjes, Castan falënderon klubin dhe trajnerin Rudi Garcia për mbështetjen: “Më dhanë mjekët më të mirë, më paguan rrogën dhe ma rinovuan kontratën edhe kur nuk luaja dot. Garcia ishte si baba për mua.”
Por nuk ndodhi e njëjta gjë me trajnerin tjetër, Luciano Spalletti, i cili sipas Castan, e poshtëroi pas një ndeshjeje të dobët: “Më tha se niveli im ishte Frosinone dhe se nuk do të luaja më me të. Bota m’u shemb mbi kokë.”
Një figurë që e ndihmoi shumë ishte Sinisa Mihajlović. “Pas çdo stërvitje te Torino, më ndihmonte të godisja topin. Kalonim orë të tëra bashkë. Ai do mbetet gjithmonë në zemrën time,” u shpreh Castan.
Tashmë 38 vjeç, Castan është në Brazil, duke ndjekur kursin për trajner. “Nuk mund të rri larg barit të fushës. Ka një jetë tjetër për mua në futboll.”