Është krejt e pamundur të besohet në drejtësinë që na rekomandon ambasador Gonzato
Gjithçka që ndodhi këto ditë në Theth apo dhe në Vlorë, në Tiranë e kudo ku po hap vatra "shpërthimi" kryeministri, duket si një kronikë e paralajmëruar. Jo në detajet apo zhvillimet konkrete, sepse tempizmi dhe gjetja e preteksteve i ngjan atyre flluskave abstrakte të një imagjinate të sëmurë piktori. Por në thelb, për të shuar dhe devijuar zhurmën dhe gjëmën që po vjen prej raporteve dhe qëndrimeve ndërkombëtare për masakrën e zgjedhjeve të 11 Majit, qeverisja propagandë e piktorit, duhet të shpikte patjetër një zhurmë e zallamahi mediatike të denjë për këtë përmasë. Pavarësisht se turizmi po goditet përçudnisht mu në zemër të vet, si në mal ashtu dhe në det, dhe në mes të sezonit, dëmi për qeverinë nuk duket të jetë i denjë për të shpënë përpara agjendën e vet të papritur. Në këtë perspektivë, është e paralajmëruar edhe kronika e të gjithë mediave shqiptare për të pasur si epiqendër këtë agjendë. Ajo që bën çudi është përsëri qëndrimi dhe le të themi zgjimi i papritur nga dremitja verore e ambasadorit të BE, zotit Gonzato.
Themi e papritur, sepse për nga rëndësia, interesi dhe përmasa e pasojave, verifikimi dhe shpalosja dy mujore e në vazhdim e të gjitha fakteve dhe provave të masakrës zgjedhore, do të duhej të ishte një kambanë alarmuese për çdo përfaqësues të denjë evropian dhe një mundësi e mirë për të qëndruar në krah të demokracisë dhe integritetit, duke u shprehur dhe qëndruar fort dhe ashpër në mbrojtje të saj. Mirëpo diçka e tillë për çudi nuk ndodhi me zotin Gonzato, përkundrazi, ai u duk sikur ra në një gjumë letargjik, që duket se iu prish befas nga zhurma e shkatërrimit në Theth. Mund ta kuptojmë shijen e hollë dhe elegante të ambasadorit për mbrojtjen e një perle të tillë bukurie si Thethi ynë, por e kemi të vështirë të kuptojmë prioritetin e qëndrimit për Thethin në krahasim me qëndrimin për zgjedhjet dhe demokracinë. Nejse, po e besojmë në sinqeritetin e shqetësimit të tij për sulmin dhe shantazhimin që qeveria dhe kryeministri po i bëjnë një prokuroreje të thjeshtë në Shkodër, sepse tek e fundit kur arroganca kalon malet, edhe miku yt më i madh evropian nuk ka se si të të mbrojë. Vetëm se më duket shumë shqetësuese dhe e pakuptueshme qasja juaj ambasador ndaj drejtësisë që po ushtrohet sot në Shqipëri. Vetëm një njeri që jeton në një planet tjetër, një njeri i shkëputur krejtësisht nga realiteti shqiptar, mund të guxojë, sidomos pas zgjedhjeve të 11 Majit, t'u këshillojë shqiptarëve që të keni besim te kjo drejtësi. Një guxim i marrë, i çartur, do të thoshin njerëzit e zakontë shqiptarë ose një guxim i blerë si i çdokujt tjetri do të thoshin ca të tjerë.
Përse vallë duhet të kemi më besim tek SPAK? Sepse është një krijesë e formës perëndimore të sundimit të ligjit?! Pse vallë ka drejtësi të tillë në perëndim që i lë proceset gjyqësore të qytetarëve të vet të zvarriten të pazgjidhura për vite e vite të tëra?! E nëse kjo është çështje teknike, çfarë mund të themi për përmbajtjen dhe realizimin e saj që, me fakte e dokumente, tashmë është provuar të ketë qenë vepër e qëllimshme e Soros dhe agjendës së shoqërive të tij të hapura për drejtësinë në Evropë dhe Amerikë? Investimi i tij me prokurorë e gjykatës në Amerikë, pas kaq shumë vitesh është vënë në shënjestrën e administratës së Trump, për dëmin dhe shkatërrimin e vlerave prioritare të sistemit të drejtësisë që i ka bërë demokracisë më të madhe në botë, imagjino në një demokraci të brishtë si kjo e jona ku çdo gjë është në dorë të një njeriu si Edi Rama?
Ambasador, zgjedhjet, task forca e SPAK dhe rezultati shkatërrimtar që ajo dha për mbarëvajtjen e tyre, janë prova e zjarrit, prova e së vërtetës së integritetit të kësaj drejtësie. Për çfarë vallë mund të mburrej SPAK deri më tani: për luftën kundër bandave dhe krimit të organizuar, sepse aty ishin arritjet e tij më të mëdha që shqiptarët vlerësonin. Lufta ndaj korrupsionit dihet që është bërë selektive dhe me llogore qitëse ndaj opozitës, e vetmja gjë për të cilën shqiptarët e patën mbështetur ishte që SPAK të ruante dhe luftonte për integritetin dhe barazinë e zgjedhjeve. Apatia, mosluftimi në kohë, lënia e lirë në terren përpara zgjedhjeve e të gjitha bandave për të mbledhur vota për qeverinë, i vuri vulën besimit të njerëzve ndaj SPAK. Turpërimi dhe dështimi më i madh i të gjithë sistemit të drejtësisë që ndërtuam është zgjedhja deputet në vitin 2025 e disa përfaqësuesve të veçantë të grupeve më të fuqishme kriminale që veprojnë në këtë vend.
Ju i dini shumë mirë këto fakte zoti ambasador, ua kanë referuar vëzhguesit dhe raporti i OSBE, atëherë përse vallë nuk jepni alarmin e reformimit me rrënjë të këtij sistemi drejtësie? Pse vallë duhet të besojmë në shqetësimin tuaj për Thethin dhe jo në heshtjen dhe injorimin në mos- shqetësimin për dështimin e Spak para masakrës së 11 majit? Mos vallë nuk i kishte mundësitë, kapacitet apo kompetencat për të ndërhyrë e parandaluar atë? Asnjë nga këto nuk i ka munguar, përveç vullnetit të hekurt dhe të pavarur nga zgjedha e ndërhyrjes së regjimit. Ja këto duhet të të shqetësojnë e për të cilat duhet te mbash qëndrim zoti Gonzato, kush e ndali SPAK te kryejë detyrën përpara ligjit? Vetvetja, Edi Rama apo konjukturat politike ndërkombëtare? Apo të treja bashkë? Armiq të shumtë paska pasur kjo demokracia jonë sot, ambasador, dhe shumë pak miq. Po vullneti i patundur i shqiptarëve për liri do të dijë ta mbajë gjallë qëndresën e opozitës, deri atëherë ju mundohuni të mbani gjallë shpirtin e realitetit dhe të vërtetës shqiptare, larg erërave të ndikimit të rrjetit sorosian në Evropë dhe përuljes së neveritshme ndaj propagandës së regjimit të Edi Ramës.