BE miraton paketën e 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë, masa të reja në energji, financa dhe tregti

Bashkimi Europian ka rënë dakord për paketën e 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë, një hap i rëndësishëm që u finalizua nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare në Bruksel. Miratimi zyrtar i masave pritet të ndodhë gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, shkruan ANSA.

Paketa e re përfshin masa të zgjeruara në fushat energjetike, financiare dhe tregtare, si dhe krijimin e një mekanizmi të ri për kufizimin e çmimit të naftës (Oil Price Cap). Sipas këtij mekanizmi dinamik, çmimi i naftës bruto ruse do të vendoset 15% më poshtë se çmimi mesatar i tregut, duke u ulur aktualisht me 60 cent dhe duke arritur në rreth 47,6 dollarë amerikanë për fuçi.

Ndër masat kryesore të përfshira në këtë paketë janë:

1- Ndalimi i transaksioneve që lidhen me gazsjellësit Nord Stream 1 dhe 2.

2- Zgjerimi i listës së “flotës fantazmë” me edhe 105 anije të tjera, duke e çuar numrin total në mbi 400.

3- Shndërrimi i kufizimeve të mëparshme në sistemin bankar Swift në ndalim të plotë, duke shtuar 22 banka të reja ruse në listë.

4- Kufizime të reja për aksesin e Rusisë në teknologji të avancuara dhe me përdorim të dyfishtë.

5- Ndalim i importit të produkteve të rafinuara të naftës, të prodhuara nga naftë bruto ruse në vende të treta, me përjashtim të Norvegjisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së, Kanadasë dhe Zvicrës. Kjo masë synon të mbyllë hapësirat që lejojnë eksportet indirekte të naftës ruse.

Gjithashtu, sanksionet përfshijnë ndalimin e çdo transaksioni me Fondin Rus të Investimeve të Drejtpërdrejta dhe institucionet që e mbështesin atë, me qëllim të frenimit të mëtejshëm të qasjes së Rusisë në tregjet globale financiare dhe në valutën e huaj.

Kjo paketë tregon përkushtimin e BE-së për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë, në përgjigje të vazhdimit të agresionit në Ukrainë.