Mourinho sinjalizon rikthimin në Portugali: Do të ndodhë, jam i sigurt
José Mourinho duket se po mendon seriozisht për një rikthim në vendlindje. Pas fitores 2-1 të Fenerbahçes ndaj Portimonense në një miqësore përgatitore, trajneri portugez ka lënë të hapur mundësinë për t’u kthyer në futbollin portugez, qoftë në drejtimin e një klubi, qoftë të kombëtares.
“Nuk ka ndodhur ende, por do të ndodhë. Do të kthehem në Portugali, pa asnjë dyshim. Jo sepse jam afër fundit të karrierës, përkundrazi, ndihem larg këtij fundi. Nuk dua të vij për një pension të artë apo për vitet e fundit të jetës sime në stol. Dua të vij kur jam ende në kulmin tim profesional, me shëndet të plotë dhe energji të fortë fizike e mendore,” u shpreh Mourinho për Sport TV pas ndeshjes kundër ekipit të drejtuar nga Tiago Fernandes.
I pyetur nëse e shihte veten në një klub apo në pankinën e përfaqësueses, ai u përgjigj me humor:
“Klub apo kombëtare? Çfarëdo! Portimonense jo, se ka trajner të mirë,” tha me të qeshur tekniku i njohur.
Deklarata që vijnë në një moment kur emri i Mourinhos vazhdon të lidhet me projekte të mëdha dhe ambicie të pashuar. Rikthimi i “Special One” në futbollin portugez nuk është më thjesht një hipotezë, është një çështje kohe.
Mourinho não tem dúvidas de que vai regressar a Portugal 🫶🇵🇹#sporttvportugal #FUTEBOLnaSPORTTV #PortimonenseSC #Fenerbahce pic.twitter.com/q4UM9UiZvf
— sport tv (@sporttvportugal) July 17, 2025