Vora shton peshë në mesfushë me afrimin e brazilianit Wallace Almeida
Skuadra e Vorës vijon të jetë aktive në këtë merkato vere, duke forcuar më tej organikën e saj për sezonin e ri në Superiore. Klubi nga periferia e Tiranës ka zyrtarizuar ardhjen e mesfushorit brazilian Wallace Almeida, një përforcim që pritet të sjellë eksperiencë dhe cilësi në qendër të fushës.
24-vjeçari vjen nga akademia e njohur e Fluminenses, një ndër shkollat më të famshme të futbollit në Brazil, e cila ka nxjerrë emra të mëdhenj ndër vite. Pjesën më të madhe të karrierës së tij Almeida e ka kaluar në futbollin brazilian, duke u aktivizuar për klube si ABC FC dhe së fundmi Volta Redonda.
Përvoja e tij ndërkombëtare përfshin edhe një periudhë 6-mujore në kampionatin iranian me ekipin Chadormalu SC, përpara se të rikthehej në vendlindje për të përfunduar sezonin.
Me aftësitë e tij teknike dhe përvojën e fituar, pritet që Wallace Almeida të jetë një element kyç në skemat e trajnerit, duke rritur konkurrencën dhe stabilitetin në mesin e fushës. Klubi i Vorës e ka pritur me entuziazëm, duke i uruar suksese me fanellën bardhekaltër në aventurën e tij të re shqiptare.