Sulmi në kishën katolike në Gaza, reagon Netanjahu: Shprehim keqardhje të thellë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se Izraeli shpreh keqardhje të thellë për sulmin e mëngjesit të sotëm në një kishë katolike në Gaza, ku tre persona humbën jetën.

Ngjarjen e cilësoi si një “tragjedi”, në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e tij.

“Izraeli shpreh keqardhje të thellë që një goditje e pasaktë preku Kishën e Familjes së Shenjtë në Gaza. Çdo jetë e pafajshme e humbur është një tragjedi. Ndajmë dhimbjen e familjeve dhe të besimtarëve,” thuhej në deklaratë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump telefonoi Netanjahun pas sulmit izraelit në kishën në Gaza. Zëdhënësja Caroline Leavitt tha se Netanjahu pranoi se bëhej fjalë për një “gabim”. Kur u pyet për reagimin e Trump, Leavitt tha shkurt: “Nuk ishte pozitiv.”

Nga sulmi në Kishën e Familjes së Shenjtë në Gaza humbën jetën tre persona dhe u plagosën disa të tjerë.

Patriarkana Latine e Jeruzalemit konfirmoi sot se tre persona kanë humbur jetën në Kishën Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza, e vetmja kishë katolike në territor. Kjo kishë ka shërbyer si strehë për komunitetin e vogël të besimtarëve katolikë që prej fillimit të luftës, rreth 21 muaj më parë.

Sipas njoftimit të Patriarkanës, dhjetë persona janë plagosur, nga të cilët dy ndodhen në gjendje të rëndë. Më herët, bilanci ishte dy viktima, por më pas u rishikua në rritje.

Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Gaza raportoi se gjithsej 25 persona janë vrarë sot nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, ku konflikti vijon intensivisht.