'Qasja amerikane ka ndryshuar rrënjësisht'/ Kedhi: Brukseli ka miratuar një ligj që do hetojë organizatat e majta në BE...

Anëtari i platformës “Brain Gain” të Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka deklaruar në një intervistë për emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV se politika e jashtme amerikane ka pësuar ndryshime thelbësore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt edhe në vendin tonë.

Ai tha se roli i SHBA-së në financimin e lëvizjeve ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare është një ndër ndryshimet kryesore, ndërsa shtoi se tashmë Uashingtoni ka marrë një qëndrim të ashpër kundër karteleve të drogës, duke ndalur tolerimin e korridoreve të trafikut.

“Administrata amerikane dhe Departamenti i Shtetit i kanë shpallur luftë karteleve të drogës dhe nuk i mbyllin më sytë përpara rrugëve të reja të trafikut të paligjshëm. Kjo qasje e re është një ndryshim i madh që na prek edhe ne drejtpërdrejt,” tha Kedhi.

Ai theksoi se George Soros është zhvendosur prej kohësh në Bruksel dhe se deri në vitin 2019, fondacioni “Shoqëria e Hapur” publikonte dokumente me aleatët e tij të besuar në BE dhe në Parlamentin Europian. Sipas tij, mes emrave të përmendur ishin Roberta Metzola, aktualisht spikere e Parlamentit Europian, si dhe figura të tjera të rëndësishme të politikës europiane dhe përfaqësues të organizatave që vinin në Shqipëri.

Duke folur për zhvillimet e fundit në BE, Kedhi tha se Partia Popullore Evropiane (EPP) ka bashkuar votat me grupet patriotike dhe konservatore për të kaluar një iniciativë të rëndësishme në Parlamentin Evropian, që synon hetimin e ndikimit të organizatave joqeveritare në vendimmarrje. “Ky veprim ka shkaktuar reagim të fortë te socialistët evropianë, që i kërkojnë Manfred Weber-it të mos bashkëpunojë me të djathtët, ndërkohë që qeverisin bashkë me të në BE,” tha ai.

Sipas Kedhit, e majta evropiane është acaruar nga ky bashkëpunim dhe, sipas tij, shumë prej tyre financohen nga fondacionet e Sorosit. Ai nuk kurseu as kritikat ndaj burokracisë së BE-së, duke e quajtur hipokrite qasjen ndaj Shqipërisë.

“Amerikanët janë më të qartë dhe veprojnë ndryshe nga burokratët e pazgjedhur të Brukselit. Kur shkojmë atje dhe flasim me zyrtarët që mbulojnë Shqipërinë, ata sillen sikur nuk dinë gjë. Ose po mbulojnë dështimet e tyre, ose janë pjesë e një strukture të padukshme diplomatike që e ka paralizuar vëmendjen ndaj Shqipërisë gjatë kësaj dekade,” u shpreh Kedhi.

Ai kritikoi gjithashtu premtimet boshe të BE-së për anëtarësimin e Shqipërisë deri në vitin 2030. “Vijnë këtu zyrtarë që nuk do jenë më në pushtet në atë vit dhe na thonë se do bëhemi pjesë e BE-së. Ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për ato që thonë,” vijoi Kedhi.

Kedhi:

Ka një ndryshim në politikën e jashtme amerikane, ka dy ndryshime thelbësore këtu, e para është roli i Amerikës në financimin e lëvizjeve të ndryshme ndërkombëtare, i këtyre organizatave joqeveritare (NGO) etj.

Dhe ndryshimi i dytë thelbësor është ky që administrata amerikane, departamenti i shtetit i ka hapur luftë karteleve të drogës dhe ka ndryshuar qëndrimin e vet. Nëse më parë mbyllte edhe një sy ndaj rrugëve të reja, korridoreve të reja të trafikut të drogës, tani kjo gjë ka ndryshuar. Dhe të dyja këto ndryshime në politikën e jashtme në Amerikë që na prekin edhe neve.

Sorosi është zhvendosur dhe është prej kohësh në Bruksel, deri në 2019 madje Shoqëria e Hapur botonte edhe një dokument ku ishin aleatët e besuar në BE, në Parlamentin Europian dhe ishin, përfshihet Roberta Metzola që është spikere e Parlamentit sot, liderja e opozitës në Itali, gjithë grupi që vinte në Shqipëri i reporterëve, ishin të gjithë në listën e aleatëve të besuar të Fondacionit Shoqëria e Hapur.

Një zhvillim që ka ndodhur së fundi në Parlamentin Evropian është që EPP, e cila qeveris me socialistët, pra atje qendra e majtë dhe e djathtë qeverisin bashkë në Evropë, në rastet e rralla që ka ndodhur është që EPP ka bashkuar votat me patriotët që është bashkimi i Kryeministrit Orban dhe me konservatorët dhe reformistët që është grupimi i Ligj dhe Drejtësi në Poloni dhe i Kryeministres Meloni për të kaluar një iniciativë në PE shumë të rëndësishme për hetimin e NGO-ve dhe impaktin dhe influencën që NGO-të kanë, sidomos NGO-të e majta, në vendimmarrjen e Parlamentit Evropian.

Ky është një zhvillim që ka kaluar shumë në heshtje, por ka pasur një reagim shumë të fortë nga socialistët evropianë që i thonë Manfred Weber, që është drejtuesi i partive popullore evropiane, që ti s’mund ta bësh këtë, të qeverisësh me ne dhe të bashkosh votat me të djathtët.

Kjo gjë e ka acaruar shumë të majtën evropiane, të gjelbrit etj., këta që më së shumti paguhen nga Soros dhe nga këto fondacione.

Ka pasur një gjë edhe në BE, janë më të qartë amerikanët dhe veprojnë shumë më ndryshe sesa burokratët e pazgjedhur të Brukselit.
Në Bruksel ndodh një gjë që mua më duket shumë e habitshme, shkojmë atje, diskutojmë me personat që mbulojnë Shqipërinë dhe të gjithë bëjnë të paditurin, thonë: këto gjërat që thoni ju, ne nuk i dinim. Njerëz që mbulojnë Shqipërinë, shkruajnë raporte për Shqipërinë, tani ose bëjnë për të mbuluar veten e tyre ose ky mur i padukshëm diplomatik që ka qenë mbuluar shoqëria pjesën më të madhe të kësaj dekade ka bërë punën e vet.

BE me ne është sjellë në mënyrë hipokrite, vijnë këtu burokratët e pazgjedhur që nuk do jenë në pushtet në 2030 dhe thonë ju do futeni në 2030, ai s’është fare në 2030, nuk mban përgjegjësi për atë që thotë.